Katundi i Vjetër vuan mungesën e energjisë, dëmtohet turizmi

Nga Syri TV

Edhe pse është përfshirë në programin kombëtar të 100 fshatrave turistikë, Katundi i Vjetër, në Bashkinë Mirditë, vijon të përballet me probleme infrastrukturore.

Shqetësimi kryesor mbetet furnizimi me energji elektrike, ku ndërprerjet e shpeshta po dëmtojnë ndjeshëm jetën e banorëve dhe aktivitetin e bizneseve. Sipas përfaqësuesve të subjekteve turistike në zonë, mungesa e energjisë është kthyer në një pengesë reale për zhvillimin e këtij sektori. Ata theksojnë se situata ka sjellë jo pak raste kur turistët janë detyruar të largohen për shkak të kushteve të papërshtatshme.

Kryeplaku i fshatit, Marjan Deda, shprehet se rrjeti elektrik i amortizuar, që daton prej viteve ’70, është shkaku kryesor i kësaj situate. Sipas tij, mungesa e investimeve ndër vite ka çuar në degradimin e plotë të infrastrukturës energjetike.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën me dije se është në dijeni të problematikës dhe se pritet të ndërhyjë së shpejti për rehabilitimin e rrjetit.