Gonzato: Krimi i organizuar minon integritetin e Shqipërisë, bllokoni aksesin e tij në ekonominë e ligjshme

"Krimi i organizuar minon integritetin ekonomik të Shqipërisë, administratën publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet. Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar" Ky ishte mesazhi i ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, gjatë një tryeze, ku ishin të pranishëm përfaqësues të partive politike, studiues, komuniteti diplomatik dhe shoqërinë civile.

Gonzato nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE. 

“Krimi i organizuar minon integritetin ekonomik të Shqipërisë, administratën publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet. Kjo kërkon që, përveç ndjekjes penale, të përqendrohemi më shumë tek masat parandaluese. Tryeza e rrumbullakët e sotme mblodhi përfaqësues të partive politike, studiues, komunitetin diplomatik dhe shoqërinë civile për të diskutuar masat parandaluese kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë te përdorimi sistematik i masave për të parandaluar infiltrimin e krimit të organizuar në bizneset e ligjshme dhe në ekonominë formale.

Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Duke përdorur mjete si heqja e licencave, verifikimi i pjesëmarrjes në tenderë publikë dhe sanksionet bashkiake, autoritetet krijojnë barriera që i pengojnë kriminelët të depërtojnë në bizneset e ligjshme. Kjo qasje efektive kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij.

Gjatë këtij takimi, theksi u vu te përdorimi i mjeteve sistematike që parandalojnë infiltrimin e krimit të organizuar në bizneset legjitime dhe ekonominë ligjore.