Kupa e Mbretit i kushton shtrenjtë Barcelonës, mësohet sa do të mungojnë Koundé dhe Balde

Barcelona pësoi një goditje të rëndë pas eliminimit nga Atletico Madridi në gjysmëfinalet e Copa del Rey. Dy mbrojtës kyç të skuadrës, Jules Koundé dhe Alejandro Balde, u lënduan gjatë ndeshjes dhe do të mungojnë disa javë, duke vënë presion mbi trajnerin Hansi Flick në një moment kritik të sezonit, për garën e titullit në LaLiga dhe për rikthimin në Champions League.

Koundé u zëvendësua në minutën e 12-të të takimit dhe ka një dëmtim në pjesën e mesme të bicepsit femoral të këmbës së majtë. Ai do të mungojë rreth katër deri pesë javë. Mbrojtësi francez, titullar i zakonshëm në krahun e djathtë, ka luajtur 40 ndeshje këtë sezon.

Balde hyri në vend të Koundé dhe vendosi Cancelo-n në të djathtë, ndërsa mori vetë krahun e majtë. Megjithatë, 22-vjeçari nuk arriti të përfundonte ndeshjen dhe pas testeve u konfirmua se ka një dëmtim në bicepsin femoral distal të kofshës së majtë. Ai do të mungojë gjithashtu rreth katër javë.

Këto lëndime shtuan shqetësimin e Flick-ut, i cili planifikon të takohet me stafin mjekësor për të analizuar arsyet e shumë dëmtimeve muskulore në këtë fazë të rëndësishme të sezonit. Javën e kaluar ishte konfirmuar mungesa e Frenkie de Jong për pesë ose gjashtë javë, për shkak të një dëmtimi në bicepsin distal të këmbës së djathtë.

Flick deklaroi pas ndeshjes: “Kemi dy lëndime të tjera dhe nuk jam i kënaqur, sepse i shtohen dëmtimit të Frenkie-t. Duhet të flasim me ekipin mjekësor dhe stafin për të shmangur që brenda një jave të humbasim tre lojtarë.”

Për të mbuluar mungesën e Koundé në ndeshjet e ardhshme, trajneri mund të aktivizojë Eric García-n, Ronald Araujo-n, Cancelo-n ose Marc Casadó, të cilët kanë luajtur më parë në atë pozicion edhe pse nuk janë të krahut të djathtë natyrshëm. Për mungesën e Balde, ka alternativa natyrale si Gerard Martín dhe mbrojtësi veteran portugez.

Nga ana tjetër, Pedri dhe Marc Bernal përfunduan ndeshjen në ‘Spotify Camp Nou’ me lodhje muskulore, por pritet që të jenë në dispozicion të Flick për sfidën e së shtunës ndaj Athletic Bilbao-s.