Barça ndryshon planifikimin për Championsin, Flick kërkon më shumë pushim për lojtarët
Barcelona ka vendosur të ndryshojë planifikimin për javën e ardhshme në prag të ndeshjes së Champions League. Trajneri Hansi Flick dëshiron t’u japë më shumë pushim lojtarëve të tij, të cilët në këtë fazë të sezonit janë të lodhur nga numri i madh i ndeshjeve dhe udhëtimeve.
Skuadra katalanase do të udhëtojë të shtunën në mëngjes drejt Bilbaos, ku në orën 21:00 do të përballet me Athletic Bilbao-n në LaLiga. Ndryshe nga plani fillestar, ekipi nuk do të kthehet në Barcelonë pas ndeshjes, por do të kalojë natën në vendin Bask dhe të dielën do të fluturojë direkt drejt Anglisë.
Të martën, Barça do të përballet me Newcastle United në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të UEFA Champions League. Fillimisht ishte parashikuar që udhëtimi drejt Mbretërisë së Bashkuar të bëhej të hënën nga Barcelona, por me këtë ndryshim lojtarët do të shmangin dy fluturime dhe orë të gjata udhëtimi, edhe pse do të humbasin kohën q• do të kalonin me familjet e tyre.
Flick ka vendosur t’i japë prioritet pushimit, pasi skuadra po përballet me lodhje të theksuar. Të dielën pritet vetëm udhëtimi, pa stërvitje, ndërsa seanca e vetme do të zhvillohet të hënën pasdite në ambientet e Newcastle, pas konferencës për shtyp të trajnerit gjerman.
Ky vendim vjen edhe pas dëmtimeve të fundit të Frenkie de Jong, Alejandro Balde dhe Jules Kounde, që kanë shtuar shqetësimet në kampin ‘blaugrana’.