'Sterilizimi' - GJKKO heq akuzën e 'grupit të strukturuar kriminal', dënime minimale për ish zv/ministrin e Beqajt e biznesmenin Rrapaj
Dënime minimale dha sot GJKKO për zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të koncesionit famëkeq të sterilizimit i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro.
GJKKO shpalli të pafajshëm Kodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj për akuzën ‘grup të strukturuar kriminal’ ndërsa i shpalli fajtor dhe dha dënim për akuzën ‘vjedhje duke shpërdoruar detyrën’ dhe ’falsifikim dokumentesh’. Ndërkohë SPAK më 25 qershor kërkoi shpalljen fajtor të zyrtarëve për veprat penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe dënimin me 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehurit.
Dënimi
GJKKO dënoi sot me 6 vite burg për ish zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj e biznesmenin Ilir Rrapaj. Për të dy me aplikimin e gjykimit të shkurtuar – pra ulja e 1/3 e dënimit - do të vuajnë secili nga 4 vite burg.
Për ish zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit të sterilizimit, konkretisht Marsela Serjani, Sajmir Kadiu, Petref Mersini, është kërkuar dënimi me 3 vite e 6 muaj burg. Për të tre, u pranua aplikimi i gjykimit të shkurtuar – pra ulja e 1/3 e dënimit - dhe do të vuajnë secili nga 2 vite e 4 muaj burg.
Edhe për mjekun Arben Gjata, GJKKO dha dënimin me 3 vite e 6 muaj burg e cila nga gjykimi i shkurtuar bëhet 2 vite e 4 muaj burg, por ky dënim u pezullua dhe u konvertohet në 24 muaj shërbim prove, informon gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj.
Genc Byrazeri u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar do të vuante 1 vit burg, dënim i cili u pezullua dhe u konvertua në 80 orë punë në interes publik për një periudhë 6 mujore.
Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar do të vuante 1 vit burg, dënim i cili u pezullua dhe u konvertua në shërbim prove me 2 vite.
Hiqet akuza 'grupit te strukturuar kriminal
GJKKO shpalli të pafajshëm zv/ministrin e Shëndetësisë Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj për akuzën 'grup të strukturuar kriminal' ndërsa i deklaroi fajtorë të dy për 'vjedhje duke shpërdoruar detyrën' dhe 'falsifikim dokumentash'.
Ndërkohë SPAK kishte kërkuar
Klodian Rjepaj 10 vjet burg/ nga gjykimi i shkurtuar 6 vjet e 8 muaj
Ilir Rrapaj 10 vjet burg/ nga gjykimi i shkurtuar 6 vjet 8 muaj
Marsela Serjanaj 3 vjet 6 muaj / nga gjykimi i shkurtuar 2 vjet 4 muaj
Sajmir Kadiu 3 vjet 6 muaj/ nga gjykimi i shkurtuar 2 vjet 4 muaj
Petref Mersini 3 vjet 6 muaj/ nga gjykimi i shkurtuar 2 vjet 4 muaj / pezullim i dënimit dhe 4 vjet shërbim prove
Arben Gjata 1 vit 4 muaj, pezullim i dënimit dhe 3 vjet shërbim prove
Genc Byrazeri 2 vjet/ pezullim i dënimit dhe 2 vite shërbim prove
Naile Ajazi 1 vit 4 muaj / pezullim i dënimit dhe 2 vjet shërbim prove
Koncesioni i 114 mln euro
Kontrata e partneritetit publik privat të sterilizimit, i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro, është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë.
Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Rrapaj zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit.
Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar per vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme, pasi ai nuk pranoi gjykimin e shkurtuar.
Veç Klodian Rrjepajt dhe Ilir Rrapajt që ishin në masë sigurie 'arrest me burg', ish anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit të sterilizimit u gjykuan nën masat e sigurisë 'arrrest shtëpie e detyrim paraqitje, masa të cilat u hoqën me vendimin e sotme.