Turqia i përcjell shqetësimin Teheranit për raketën e lëshuar drejt hapësirës së saj ajrore

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan sot i përcolli shqetësimin e Ankarasë homologut të tij iranian, Abbas Araghchi lidhur me raketën balistike të lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke që u neutralizua nga mbrojtja ajrore e NATO-s, raporton Anadolu.

Gjatë bisedës telefonike, Fidan i tha Araghchit se çdo hap që mund të çojë në përshkallëzimin e konfliktit duhet të shmanget, thanë burimet e Ministrisë së Jashtme turke.

Lexo dhe: Pamjet e raketës iraniane 

Raketa balistike e lëshuar nga Irani e cila ishte duke hyrë në hapësirën ajrore turke të mërkurën (4 mars) u interceptua dhe  u neutralizua nga njësitë e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s në Mesdheun Lindor. Kjo është hera e parë që një vend anëtar i aleancës përfshihet drejtpërdrejt në konfliktin në rritje në Lindjen e Mesme.

Nuk është e qartë se cili ishte caku i raketës iraniane, por një zëdhënës i NATO-s tha se aleanca ushtarake e dënon veprimin e Iranit për ta shënjestruar Turqinë dhe se qëndron fuqishëm përkrah të gjithë aleatëve.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare Turke  tha në platformën turke të mediave sociale NSosyal se predha, e zbuluar pasi kaloi nëpër Irak dhe Siri, u eliminua me sukses nga mbrojtja ajrore.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se raketa kishte kaluar mbi Irak dhe Siri para se të rrëzohej nga sistemet ajrore dhe të mbrojtjes të NATO-s, të vendosura në Mesdheun lindor.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë forca ajrore të vendosura në bazën e Incirlikut në jug të Turqisë, nuk kanë folur ende për këtë rast. Kjo bazë ndodhet në një provincë që kufizohet me provincën Hatay, ku autoritetet turke thanë se kishin rënë mbetjet e raketës së rrëzuar nga NATO-ja.