Mesazhi i Lewis Hamilton pas 20 viteve në pistat e Formula 1: Jam ende i uritur!

Njëzet vite në Formula 1, një numër që peshon sa një karrierë e tërë.

Në prag të Çmimit të Madh të Australisë, i pari për Botërorin 2026, Lewis Hamilton ka zgjedhur rrjetet sociale për të ndalur kohën dhe për të parë prapa.

Me një postim në Instagram, piloti anglez kujton fillimet e tij në Formula 1.

“Është e vështirë ta kuptosh realitetin e atij numri, – shkruan 7 herë kampioni i botës. – Gjithçka nisi me një ëndërr, që disa e quanin qesharake dhe thoshin se nuk do të më çonte askund. Por ëndrra nuk ndryshoi kurrë dhe unë nuk hoqa dorë asnjëherë prej saj”.

Fjalë që tregojnë fillimin e një rrugëtimi që më pas u bë legjendar.

Numrat flasin qartë: 7 tituj kampion bote, 105 fitore dhe 104 “pole position”.

Statistika për rekord, që e kanë shenjtëruar mes më të mëdhenjve të të gjitha kohërave të Formula 1.

Në mesazhin e tij Hamilton shkon përtej shifrave: “Janë 20 vite me ngritje të pabesueshme dhe ulje brutale, me më shumë gabime nga sa mund të llogariten. Por ato gabime e kanë bërë udhëtimin edhe më të ëmbël”.

Piloti britanik i Ferrarit reflekton mbi sensin e përgjegjësisë dhe forcën e brendshme, që e ka shoqëruar që nga debutimi në Formula 1.

“E ke në duar fatin tënd. E gjitha ajo që të duhet për të pasur sukses është brenda teje. Do të kesh nevojë për ndihmë gjatë rrugës, si unë, por ajo shkëndijë, ai zjarr, është brenda teje”, – shkruan më tej Hamilton.

Pastaj një mesazh për të rinjtë, por edhe për veten. Sepse e ardhmja mbetet një faqe e hapur.

“Do të jem përjetësisht mirënjohës për mësimet, momentet e qetësisë, kaosin dhe personat e shumtë që më kanë ndihmuar të ndjek dhe të realizoj ëndrrat e mia. Jam mirënjohës edhe ndaj atyre që kanë dyshuar, madje dhe ndaj atyre që kanë dashur të më hedhin poshtë. Jam ende këtu, 20 vite më pas, ende në këmbë, ende i uritur dhe ende i përqendruar tek ëndrra. Pa u frenuar”.