Ka 100 mln dollarë pasuri dhe u kurua për impotencë/ Kush është lideri i ri i Iranit

BILD

Pas vdekjes së Ali Khameneit, Këshilli i Ekspertëve në Teheran ka emëruar Udhëheqësin e ri Suprem: sipas raporteve, bëhet fjalë për të birin e Khamenei-t, Mojtaba Khamenei (56 vjeç). Kjo është njoftuar nga media opozitare në mërgim “Iran International”. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shkroi të mërkurën në platformën X se kushdo që do të pasojë kreun shpirtëror të Republikës Islamike në detyrë, do të jetë “një objektiv për eliminim”.

“Çdo udhëheqës, i cili emërohet nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar dhe drejtuar planin për shkatërrimin e Izraelit, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe botën e lirë dhe vendet e rajonit, dhe për të shtypur popullin iranian – do të jetë një objektiv për eliminim”, deklaroi Katz.

Djali i Khamenei-t konsiderohej prej kohësh pasardhës i mundshëm.

Edhe vitet e fundit, Mojtaba Khamenei është përmendur shpesh si pasardhës i mundshëm, megjithëse deri tani ka qëndruar thuajse gjithmonë larg vëmendjes publike. Mojhtaba është djali i dytë i Ali Khamenei-t dhe, sipas raportimeve të “Daily Mail”, ka lidhje të ngushta me Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC). Sipas medies opozitare iraniane “Iran International”, ai është zgjedhur nga Këshilli i Ekspertëve “nën presionin e Gardës Revolucionare”.

Sipas një informacioni diplomatik amerikan të publikuar nga WikiLeaks dhe të cituar nga “Daily Mail”, Mojtaba Khamenei ka kërkuar trajtim për impotencë në disa klinika private britanike. “Kërkoheshin katër qëndrime, përfshirë një të fundit prej dy muajsh. Në fund, djali i tij u quajt ‘Ali’, sipas gjyshit të fëmijës”, thuhet në raport.

Si babai i tij, edhe 56-vjeçari nuk është një figurë e lartë fetare, nuk ka mbajtur ndonjë detyrë zyrtare dhe nuk ka funksion në regjimin aktual. Në të kaluarën, posti i Udhëheqësit të Revolucionit kërkonte rangun më të lartë shpirtëror të një Ajatollahu të Madh. Sot, rangu i Ajatollahut nuk është më një kusht strikt: për t’i mundësuar Ali Khameneit vazhdimin në vitin 1989, është ndryshuar Kushtetuta. Që atëherë, fuqia politike ka prioritet mbi edukimin teologjik, gjë që i hap rrugën sot edhe djalit me rang më të ulët, Mojtabas, drejt kryesimit.

Sipas sistemit të kujdestarisë islame në Iran, Udhëheqësi Suprem duhet të jetë një personalitet me autoritet të lartë politik. Sipas gazetës britanike, Mojtaba ka shërbyer gjatë luftës Iran-Irak në forcat iraniane dhe për këtë ka fituar ndikim të konsiderueshëm prapa skenave. Ai konsiderohet prej vitesh si pasardhës i mundshëm i babait të tij.

Edhe pse Mojtaba është vendosur nën sanksione nga SHBA në vitin 2019, thuhet se ai menaxhon një perandori investimesh mbi 100 milionë dollarë dhe ka akses në prona luksoze britanike dhe llogari bankare në Zvicër.