U shemb pasarela mbi det, të paktën pesë të vdekur në Santander të Spanjës

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të marte (3 mars) në Santander, ku të paktën pesë persona kanë humbur jetën, pas shembjes së një pasarelë këmbësorësh, pasi ranë në det.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:50, kur shtatë të rinj po kalonin mbi një strukturë druri në zonën e njohur si Punta Cortada, pjesë e një shëtitoreje bregdetare të ndërtuar vite më parë në këtë pjesë të rajonit të Cantabria-s. Për shkaqe ende të panjohura, pasarela u shemb dhe të rinjtë përfunduan në ujë.

Sipas burimeve zyrtare, pesë persona janë gjetur pa shenja jete, ndërsa një tjetër vijon të jetë i zhdukur. Vetëm një person është shpëtuar i gjallë dhe po merr ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të hipotermisë. Viktimat dhe personi i zhdukur janë gjashtë vajza dhe një djalë, të gjithë nxënës të së njëjtës shkollë.

Autoritetet raportuan fillimisht se dy persona u panë në det rreth 25 metra larg bregut, ndërsa pesë të tjerë rezultonin të zhdukur. Operacioni i kërkim-shpëtimit konfirmoi vdekjen e disa prej tyre, ndërsa trupi i viktimës së pestë u nxor në tokë pas orës 20:00, në kushte errësire.

Në operacion janë përfshirë njësi të shumta emergjence, përfshirë shërbimet e shpëtimit detar, helikopterë, njësi të Gardës Civile, Kryqi i Kuq dhe ekipet e emergjencës së qeverisë rajonale. Kërkimet vazhdojnë për gjetjen e personit të fundit të zhdukur.