‘Një nga ditët më të këqija të jetës sime’, ylli brazilian i Realit reagon pasi humbi Botërorin
Rodrygo ka reaguar me një mesazh emocional në rrjetet sociale, pasi u konfirmua se ka këputur ligamentin e kryqëzuar dhe meniskun. Një dëmtim i rëndë që do ta lërë jashtë fushave për 10 deri në 12 muaj. Një goditje shumë e madhe për lojtarin dhe për Real Madridin.
Gjithçka ndodhi në minutën e 66-të, pas një lëvizjeje të pafat që u kthye në makth. Braziliani mbeti i shtrirë në fushë, ndërsa me kalimin e orëve u shtuan dyshimet për më të keqen, deri në konfirmimin zyrtar.
Në reagimin e tij, Rodrygo shkroi:
“Një nga ditët më të këqija të jetës sime. Gjithmonë kam pasur frikë nga ky dëmtim... Ndoshta jeta ka qenë pak e ashpër me mua kohët e fundit... Nuk e di nëse e meritoj, por për çfarë mund të ankohem? Kam jetuar kaq shumë gjëra të mrekullueshme që ndoshta as ato nuk i meritoja.
Një pengesë e madhe është shfaqur në jetën time, në karrierën time, dhe kjo më pengon të bëj atë që dua më shumë për një kohë. Jam jashtë për pjesën e mbetur të sezonit me klubin tim dhe jashtë Kupës së Botës me vendin tim, një ëndërr që të gjithë e dinë sa shumë do të thotë për mua. Tani më mbetet vetëm të jem i fortë, si gjithmonë, kjo nuk është diçka e re për mua.
Faleminderit të gjithëve për lutjet, mesazhet dhe dashurinë! Janë shumë të rëndësishme për mua... Edhe pse është një moment shumë i vështirë, premtoj se nuk do të ndalem këtu. Besoj se kam ende shumë gjëra të jashtëzakonshme për të përjetuar dhe dua të bëj të lumtur të gjithë ata që besojnë tek unë. Është vetëm një ‘mirupafshim për tani’... Zoti kontrollon gjithçka.”