I pandalshëm Ernest Muçi! Dy asiste vendimtare në Kupën e Turqisë
Ernest Muçi vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Trabzonsporit, duke qenë protagonist absolut në fitoren 2-4 ndaj İstanbul Başakşehir në Kupën e Turqisë.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte vendimtar në të dy golat e parë të skuadrës së tij. Në minutën e 6-të, ai ekzekutoi saktë një goditje këndi, duke gjetur në zonë Auguston, i cili e dërgoi topin në rrjetë për zhbllokimin e sfidës. Goditjet nga këndi janë kthyer në një armë të fortë për Muçin, që edhe në ndeshjen e kaluar dhuroi krosime vendimtare që sollën gola.
Kontributi i tij nuk u ndal me kaq. Në minutën e 69-të, Muçi shërbeu me zgjuarsi për Eskihelaç, i cili realizoi një supergol për rezultatin 2-2, duke rikthyer baraspeshën në një moment delikat të takimit.
Forma e 24-vjeçarit këtë sezon është mbresëlënëse. Deri më tani ai ka regjistruar 13 gola dhe tetë asiste në të gjitha kompeticionet me Trabzonsporin, duke shënuar një nga sezonet më të mira në aspektin personal. Muçi po dëshmon se është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe një armë e fortë për Kombëtaren shqiptare në sfidat e ardhshme.