Slogani 'Kosova është Serbi' - Vandalizohet Ambasada e Kosovës në Berlin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit diplomatik.

Sipas njoftimit, mbishkrimet përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës bëri të ditur se, menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet gjermane.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Termat dhe narrativët fyes ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përdorur shpesh në diskursin publik në Serbi, përfshirë nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Në mars të vitit të kaluar, gjatë një debati në Kuvendin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq iu referua mediave nga Kosova me terma fyes, pavarësisht se një vendim gjykate në Serbi e ka shpallur termin “shiptar” si politikisht jokorrekt dhe ofendues.