Letra Rama - Vuçiç për BE/ Bushkolaj: Manovër për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme

Kryeministri Edi Rama ndodhet përballë presioni në rritje në disa fronte, nga afatet e brendshme politike lidhur me ish-ministren e tij Belinda Balluku, deri te reagimet ndërkombëtare pas një letre të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Teksa data 5 mars shihet si një ultimatum për kryeministrin, i cili duhet të vendosë për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-ministres Balluku, redaktori i Syri Tv, Elkier Bushkolaj, paralelisht me këtë presion të brendshëm, letra e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit drejtuar Brukselit shihet si një manovër për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme, siç janë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe lidhjet me kartelet e drogës.

 Letra u publikua në një ditë simbolike, theksoi Bushkolaj, në një kohë kur Kosova përkujtonte masakrën e Likoshanit dhe Vuçiç shpërndante video nacionaliste. Sipas tij, Rama po tenton të pozicionohet si një faktor stabiliteti në Ballkan për të kompensuar vështirësitë në vend.

Kjo ndërthurje e interesave politike, ekonomike dhe kriminale shihet si një kërcënim serioz për stabilitetin dhe proceset demokratike në rajon, theksoi ndër të tjera Bushkolaj.

Këtë e shoh pak të lidhur në fakt edhe me letrën e Ramës me Vuçiç karshi Brukselit. Dhe pse? Edhe pse e shoh të lidhur? E shoh në momentin më të vështirë për Edi Ramën, pra që ka përballë kartelet e drogës, është mes AKSHI-t edhe mes Belinda Ballukut, papritur na del një letër, në ditën që në Kosovë përkujtohet një nga masakrat më të rënda të regjimit serb, që është masakra e Likoshanit me 24 të vdekur dhe po atë ditë, presidenti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në rrjetet e tij sociale kishte shpërndarë një video që fliste se si Kosova është zemra e Serbisë.

Dhe kam përshtypjen që Edi Rama po tenton që ta shfrytëzojë këtë moment të tij të vështirë në Shqipëri, në bashkëpunim me Vuçiçin për ta nxjerrë veten dhe si një faktor stabiliteti apo destabiliteti po themi në Ballkan.  Sa herë që flasim për kryeministrin Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, duhet të kemi parasysh diçka. Është një informacion që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e ka sqaruar në momentin që ka thirrur atje Altin Dumanin. Edhe vetë zoti Dumani është pyetur në parlament edhe ka folur për këtë lloj bashkëpunimi dhe ajo çfarë koncidon është që kulmi i ecurisë së projektit të Open Balkan, që kishte nivelin më të lartë të takimeve, dinamikën më të lartë, na përkon me një bashkëpunim ose një bashkërendim të grupeve shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës me ato serbe dhe me ato malazeze.

Dhe jo e rastësishme ishte vizita e Dumanit në Mal të Zi dhe vizita e kryeprokurorit special të Serbisë në Shqipëri. Sepse ne nuk e kishim këtë linjë po themi me Maqedoninë e Veriut dhe me Greqinë, apo me Kosovën edhe me Kroacinë, por përkoi që ta kishim këtë pikërisht me Serbinë edhe me Malin e Zi. Çfarë ndodh? Grupet kriminale serbe që operojnë në Amerikën Latine, për hir të së vërtetës, janë të vjetra, janë që në vitet '90, janë ato grupet e Arkanit dhe gjithmonë e kanë pasur një lidhje me pushtetin e Beogradit. Dhe kjo lidhje është ruajtur, është trashëguar. Dhe nëse grupet kriminale shqiptare, sa i përket bashkëpunimit me shtetin, kanë mësuar diku, nuk kanë mësuar as nga Italia e Jugut, nuk kanë mësuar as nga vendet e tjera, por kanë mësuar pikërisht nga Serbia. Pse? Se atje interesat ekonomikë, politikë dhe kriminalë prej vitesh janë të kryqëzuara.