Një histori me dy reforma!
Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të bëjë drejtësi për gjyqtaren Elbana Lluri.
Në kohën kur togfjalëshi “Reforma në Drejtësi, sukses apo dështim” ka zënë radhët e para të mediave ditët e fundit, pata rastin të shoh se Kolegji i Posaçëm i Apelimit kishte parashikuar në kalendarin e tij një kërkesë për rishikimin e vendimit të ish-gjyqtares së Apelit, Elbana Lluri. Historia e saj është diskutuar jo pak në rrethet e juristëve, pasi përbën rastin e vetëm kur për të njëjtën pasuri, dy subjekte rivlerësimi patën rezultate totalisht të kundërta nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Për gjyqtaren në fjalë, në një vendim me shumicë votash, u vendos shkarkimi nga detyra, ndërkohë që në të njëjtën ditë, ish-bashkëshorti i saj u konfirmua si gjyqtar po nga i njëjti Kolegj.
Që reforma në drejtësi do të kishte edhe vendime të diskutueshme, këtë gjithkush duhet ta pranojë dhe ky përfundim tashmë është një fakt. Por rasti në fjalë solli një mori diskutimesh edhe mediatike, për sa kohë që të dy këta gjyqtarë u vlerësuan me vendime diametralisht të kundërta mbi të njëjtat fakte e prova. Ndaj, kur në kalendar pashë se ky Kolegj do të rishqyrtonte kërkesën e saj për rishikimin e vendimit të dhënë, besova se ka ardhur momenti që KPA të ketë mundësinë të bëjë drejtësi ndaj historisë së trishtë të vendimit të dhënë ndaj kësaj gjyqtareje.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i kryesuar nga znj. Ina Rama dhe me anëtarët z. Sokol Çomo, znj. Rezarta Schuetz, znj. Natasha Mulaj dhe znj. Albana Shtylla, ka caktuar datën 11 mars 2026 për rishikimin e vendimit të datës 06.07.2022 për gjyqtaren Elbana Lluri, sipas legjislacionit në fuqi, i cili përcakton në mënyrë eksplicite që rishikimi i një vendimi të formës së prerë të bëhet nga e njëjta trupë gjykuese.
Ky rishikim, referuar në ligj, vjen pas argumentimit bindës së palës së interesuar dhe reflektimit objektiv të trupës gjykuese, në prova e fakte të bazuara në parimin e proporcionalitetit dhe të precedentit të ndjekur më parë për raste analoge proceduriale.
Gjyqtarja e Apelit Elbana Lluri, me dy dekada eksperiencë në gjyqësor, u kualifikua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me votë unanime në favor të saj, si për pastërtinë e figurës, përgatitjen e lartë profesionale, ashtu edhe sa i takon kriterit pasuror, dhe u rrëzua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit me një rezultat të ngushtë tre me dy, ndërkohë që ish-bashkëshorti i saj, për të njëjtat pasuri, u konfirmua në detyrë.
Pritet që kësaj here Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’i japë drejtësi gjyqtares Elbana Lluri, në mënyrë që të mos shkruhet më në të ardhmen: Një histori me dy reforma!