SYRI TV/ Dëme në bujqësi nga përmbytja e Vjosës, fermerët po shkojnë drejt falimentit

Dëme të mëdha ka shkaktuar dalja e lumit Vjosa në Fier. Fermerët shprehen se në terren nuk kanë parë asnjë përfaqësues nga komisioni i vlerësimit për të konstatuar dëmet. Madje theksojnë se nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim sa herë që tokat janë përmbytur.

Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga vizita në terren e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe deputetëve të zonës, të cilët premtuan se brenda 10 ditësh do të niste procesi i verifikimit dhe dëmshpërblimit, fermerët thonë se asnjë komision nuk ka mbërritur për të konstatuar dëmet. Sipas tyre, kjo është hera e pestë që tokat përmbyten nga Vjosa, por asnjëherë më parë nuk kanë përfituar dëmshpërblim.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria, jo vetëm për dëmshpërblimin e menjëhershëm, por edhe për marrjen e masave parandaluese që situata të mos përsëritet çdo vit. Deri tani, sipas tyre, premtimet kanë mbetur vetëm deklarata, ndërsa dëmet në terren vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet familjare të dhjetëra fermerëve të zonës.