Shpërthen Ruud Gullit: Nuk e shijoj më futbollin modern

Një nga figurat më emblematike të futbollit europian, legjenda holandeze Ruud Gullit, ka dalë me një deklaratë të fortë kundër mënyrës se si po zhvillohet futbolli sot. Ish-fituesi i “Topit të Artë” pranoi se ka humbur kënaqësinë për ta ndjekur sportin që e bëri të famshëm.

“Kam vendosur të ndaloj së shikuari futboll. Nuk e shijoj më sportin tonë”, u shpreh ai, duke marrë si shembull ndeshjen mes Arsenalit dhe Chelsea-t. “Çfarë ndeshjeje absolutisht e tmerrshme futbolli!”, theksoi Gullit me tone të ashpra.

Sipas tij, loja moderne është bërë tepër taktike dhe e fokusuar në detaje të vogla, duke humbur spontanitetin dhe kreativitetin. “Shoh lojtarë që përpiqen të fitojnë goditje këndi, që kërkojnë rivënie anësore, shoh djemtë e topave gati me peshqirë. Futbolli është bërë absolutisht i tmerrshëm. Shpresoj që kjo të mos jetë rruga ku po shkojmë”, deklaroi ai.

Gullit theksoi se mungon guximi dhe fantazia në fushë, duke përmendur si shembull pozitiv talentin e ri të Barcelona, Lamine Yamal. “Pres lojtarë që të përballen me mbrojtësit. Ku janë dribluesit? Ku janë ata me guxim? Pse të gjithë vetëm pasojnë? Pasim, pasim, pasim!”, përfundoi ish-‘ylli’ holandez, duke shprehur zhgënjimin për drejtimin që ka marrë futbolli modern.