'Vetëm 5 minuta' - Rama asgjeson të drejtën e fjalës së ligjvënësve, propozon përgjysmimin e kohës…
Syri TV siguron draftin e propozuar nga PS lidhur me ndryshimin e rregullores së Kuvendit, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese. PS propozon ndërhyrje në funksionimin e seancave plenare dhe strukturën parlamentare.
Një nga pikat kryesore të draftit është reduktimi i kohës së fjalës së deputetëve nga 10 në 5 minuta gjatë diskutimeve në seancë plenare. Drafti konfirmon gjithashtu se 11 komisionet e përhershme parlamentare mbeten në fuqi, por me riorganizim të fushave të përgjegjësisë.
Mes tyre parashikohet forcimi i rolit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i cili do të merret me peticionet, kontrollin post-legjislativ dhe monitorimin e zbatimit të vendimeve të Kuvendit.
Gjithashtu projektligjet që synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Komisionet
Sipas këtij drafti Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesat dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:
- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. (Çështjet e politikave ekonomike me përqasjen ndaj tregut të përbashkët evropian, Buxhetin e Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtorëve, financat publike, privatizimet dhe sistemin bankar.)
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. (Kodet dhe ligjet duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin Europian; organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor; administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)
- Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. (Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike, organizimin e Forcave të Armatosura dhe bashkëpunimin ushtarak; çështjet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë, shërbimet sekrete.)
- Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet. (Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikat e zhvillimit të sportit.)
- Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale. (Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurimet shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet për mirëqenien sociale.)
-Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. (Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën, industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. (Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)
- Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. (Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore.)