Barcelona mbetet mbi limitin e pagave, Almería rritet me investimin e Cristiano Ronaldo-s

LaLiga publikoi këtë të martë përditësimin e limiteve të kostos së skuadrës sportive (LCPD), ku në qendër të vëmendjes është Barcelona. Klubi katalanas ka regjistruar një përmirësim të ndjeshëm, por ende të pamjaftueshëm, për të respektuar plotësisht rregullat financiare.

Tavani i pagave të Barcelonës u rrit nga 351 në 432 milionë euro pas merkatos së dimrit, një rritje prej rreth 81 milionë eurosh. Megjithatë, skuadra vazhdon ta tejkalojë kufirin e lejuar dhe, për pasojë, mbetet me kufizime në merkato. Aktualisht, klubet që e tejkalojnë limitin mund të riinvestojnë vetëm 50% të të ardhurave nga shitjet ose kursimet në paga. Kjo përqindje mund të shkojë deri në 60% nëse lojtari i shitur përfaqëson të paktën 5% të kostos totale të skuadrës.

Që në shtator, drejtori i përgjithshëm korporativ i LaLigës, Javier Gómez, kishte paralajmëruar një përmirësim gradual të situatës. Ai theksoi se Barcelona po funksiononte pa stadiumin e saj, duke humbur 70-80 milionë euro në vit nga të ardhurat e ndeshjeve. Rikthimi në ‘Camp Nou’, në nëntor, konsiderohet një hap kyç në procesin e rimëkëmbjes financiare.

Në krye të renditjes për kapacitet investimi mbetet Real Madrid me një limit prej 761 milionë eurosh, i pandryshuar nga shtatori. Atlético Madrid renditet i treti me 336 milionë euro.

Në Segunda División, bie në sy rritja e ndjeshme e Almerías, që kaloi nga tre në 10 milionë euro limit, tashmë me Cristiano Ronaldon si investitor. Në anën tjetër, Granada, Ceuta dhe Andorra mbeten klubet me hapësirën më të kufizuar financiare.