Gjirokastër/ Punonjësi i shërbimeve publike bie nga kati i katërt, niset me helikopter drejt Tiranës në gjendje kritike

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur ditën e sotme në Gjirokastër, ku një punonjës i shërbimeve publike ka rënë nga lartësia e një godine private, duke pësuar dëmtime të rënda.

Sipas informacioneve paraprake, Dritan Kopeci, punonjës i shërbimeve publike, ka qenë duke punuar së bashku me kolegët për pastrimin e një godine private. Gjatë punës, dyshohet se ka rënë nga lartësia e katit të katërt të ndërtesës. Si pasojë e rënies, punëtori ka mbetur pa ndjenja dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes, është kryer transportimi urgjent me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar mjekësor.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen, rreth 8 punonjës janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë për t’u marrë në pyetje, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Gjithashtu policia po kryhen hetime të detajuara për të sqaruar arsyen se përse punonjësit ndodheshin në një biznes privat, si dhe për të verifikuar nëse ka pasur një urdhër pune zyrtar apo jo. Grupi hetimor po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë në punë.