SYRI TV/ Sipërmarrësi denoncon skandalin në Kalivaç: Do ndërtoja dy vepra në HEC-in e Bechettit
Një rast i paprecedentë ka ndodhur këtë të martë në kantierin e hidrocentralit, ku mjetet dhe makineritë e kompanisë ‘Shameti SHPK’, janë marrë nga një tjetër kompani, e cila ka fituar një ankand. Por tenderi i ankandit është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, ndërsa pronari i firmës ‘Shameti shpk’, është shprehur për SYRI TV se ka bërë një kallëzim në SPAK pasi veprimet e shtetit ndaj tij janë të paligjshme.
Syri TV
Një qytetar nga Saranda, administrator i kompanisë ‘Shameti shpk’, ka denoncuar në Syri Televizion në lidhje me një situatë krijuar në ish-kantierin e hidrocentralit të Kalivaçit në Memaliaj.
Shtetasi Flamur Shameti, tregon se në vitin 2009 lidhi dy kontrata nënkontraktimi me kompaninë HYDRO SRL të biznesmenit Italian, Francesko Beketi, për të kryer punime në HEC-in e Kalivaçit. Por, pas vitit 2014, për shkak të largimit të Beketit nga Shqipëria si pasojë e sulmit që i bëri qeveria duke mbyllur TV Agon Channel, kantieri u mbyll. Flamur Shameti tregoi se deri në vitin 2019 ka pasur në ruajtje kantierin, pasi në të kishte edhe makineritë e tij.
Pas vitit 2019, shteti merr nën kontroll kantierin, ndërsa deri në vitin 2025 hap tre ankande për shitjen e makinerive që ndodheshin aty. Dy ankandet e para dështojnë, ndërsa i treti finalizohet ku Agjencia e Pronave të Sekuestruara ka shpallur fituese shoqërinë ‘Çekrezi shpk’, e cila këtë të martë ka shkuar të marrë makineritë të cilat më pas do ti shesë për skrap. Por ky veprim është i paligjshëm sipas Flamur Shametit, i cili ka ngritur padi në SPAK, ndërsa tenderi i ankandit është ankimuar në komisionin e prokurimit publik.
E teksa qytetari pretendon se po i vidhet prona e tij, policia e shtetit ka shkuar në ndihmë të kompanisë që është shpallur fituese e ankandit, e cila këtë të martë po merr makineritë që do të ndërtonin hidrocentralin e Kalivaçit të cilat do ti çojë për skrap.