Boll me tallava me Reformën Zgjedhore, të kthehen te 5 qershori, ose opozita të ikë nga ajo tavolinë!

Nga Petrit Vasili/

Reforma zgjedhore është kthyer përfundimisht në një refren politik bosh dhe falimentar, ku palët ulen vazhdimisht në tavolinë. Gjiknuri dhe Bylykbashi janë gjithmonë aty, ndërsa zgjedhjet përfundojnë gjithmonë në greminë dhe rrëmbehen nga Rama.

Opozita shqiptare duhet ta kuptojë se pjesëmarrja në këtë Komision është thjesht një shërbim që i bëhet farsës zgjedhore dhe jo zgjidhje e saj.

Kjo farsë i shërben vetëm Ramës dhe askujt tjetër dhe tregon një opozitë me komplekse, që druhet se çfarë do të thonë disa të huaj të korruptuar nga Rama.

Refreni i përsëritur për arritjen e drafteve konsensuale të ndryshimeve ligjore është një broçkull e dëgjuar dhe stërdëgjuar, që nuk ka dhënë as më të voglin rezultat në praktikë, por, përkundrazi, ka ricikluar zgjedhje më të neveritshme se ato të mëparshmet.

Shembulli emblematik mbetet marrëveshja e 5 qershorit 2020, e cila u shkelmua nga Rama.

Marrëveshja e 5 qershorit pati konsensualitet dhe u mbështet ndërkombëtarisht si asnjë marrëveshje tjetër.

U përgatit në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe dëshmitarë të firmosjes ishin tre ambasadorë: ai i SHBA-së, i BE-së dhe i Britanisë së Madhe.

Sekretari i Shtetit Pompeo, Bashkimi Europian dhe OSBE e përshëndetën botërisht marrëveshjen.

Realiteti tregoi se Edi Rama e shkeli marrëveshjen e 5 qershorit, si dhe ndryshoi edhe Kushtetutën brenda ditës.

Sot opozita ka realisht zero garanci ndërkombëtare krahasuar me 5 qershorin.

Atëherë lind pyetja: çfarë bën opozita në atë tryezë farse, produkti i së cilës është i parathënë me fjalë të thjeshta: “Pra, të bëjmë sa për sy e faqe disa ndryshime për të thënë që bëmë reformë”?

Qejfin e kujt plotëson opozita në atë tryezë, ku personazhet janë sërish Gjiknuri dhe Bylykbashi?

Dy reforma zgjedhore farse që prodhuan dy palë zgjedhje, në 2021 dhe 2025, njëra me faqe më të zezë se tjetra.

Ku në 2025 dështimi më spektakolar ishte vota e emigrantëve, që përfundoi për faqe të zezë.

Ndaj zgjidhja është shumë e thjeshtë.

Nëse opozita beson se do të arrijë ndonjë rezultat në këtë Komision të Reformës Zgjedhore, le të vërë në tavolinë si propozim të panegociueshëm marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilën Rama dhe Rilindja kishin dhënë dakordësi me shkrim, bile.

Nëse Gjiknuri dhe mazhoranca e refuzojnë 5 qershorin, opozita duhet të ikë me vrap nga ajo tavolinë, për të mos u bërë qesharake dhe e pabesueshme në sytë e shqiptarëve.

P.S. Në foto është dakordësia me shkrim e Gjiknurit për 5 qershorin.