Vodhën një shumë parash në dyqanin e lagjes, arrestohet 36-vjeçari në Cërrik, procedohet nipi i tij i mitur

Një vjedhje me thyerje e ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen nr. 2 në Cërrik ka çuar në arrestimin e një 36-vjeçari dhe procedimin penal të dy të rinjve, mes tyre një i mitur.

Policia njofton se autorët e dyshuar kanë marrë një shumë parash nga një dyqan në zonë, ndërsa një prej tyre rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Njoftimi i policisë:

Vodhën me thyerje një shumë parash në një dyqan në lagjen nr. 2, identifikohen 2 shtetas. Vihet në pranga 36-vjeçari, procedohet penalisht nipi i tij i mitur.

-36-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Procedohet penalisht vëllai i shtetasit të mitur, pasi dyshohet se ka patur dijeni për vjedhjen dhe nuk ka kallëzuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me thyerje në një dyqan, në lagjen nr. 2, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasit A. M. dhe nipit të tij 15 vjeç.

Në përfundim të veprimeve:
-u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Cërrik, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas ka qenë i dënuar për të njëjtën vepër penale;
u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 15-vjeçarin, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;

Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. M. dhe nipi i tij i mitur, në orët e para të mëngjesit të datës 02.03.2026, kanë vjedhur me thyerje në dyqanin e shtetasit F. H., 57 vjeç, një shumë parash.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin O. Z., 19 vjeç, vëllai i 15-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për këtë rast dhe nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.