Plagosën me thikë të riun shqiptar, arrestohen 4 të dyshuarit në Itali
Katër persona janë arrestuar pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Ranzanico, ku një 30-vjeçar shqiptar mbeti i plagosur rëndë me thikë. Sipas mediave italiane, pas konfliktit dyshohet të fshihet një çështje e lidhur me drogën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, rreth orës 15:30, pranë një lokali në zonën e rezidencës “La Filanda”, përgjatë ish-rrugës shtetërore 42, buzë liqenit të Endines. Sipas hetimeve paraprake, një 26-vjeçar italian, përdorues droge, ka goditur me thikë shqiptarin, duke e plagosur në zonën mes qafës dhe fytit, një dëmtim që rrezikoi seriozisht jetën e tij.
30-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin Ospedale Papa Giovanni XXIII, ku mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë përplasjes, edhe i riu italian mbeti i plagosur, pasi u godit në kokë me një shishe qelqi nga shqiptari i plagosur dhe dy bashkatdhetarë të tij që ndodheshin në vendngjarje. Ai u transportua për mjekim në spitalin Humanitas Gavazzeni dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk është marrë ende në pyetje nga prokuroria.
Karabinierët e kompanisë së Clusone sekuestruan në vendngjarje disa doza kokaine, ndërsa po hetohet lidhja e mundshme e drogës me konfliktin. Të katër personat e përfshirë në përleshje janë vënë në pranga. Autoritetet kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat e tyre për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.