Deputetja Vata: Bëni transparencë për projektin e HEC-it Shytaj
Në fjalimin e saj në Kuvendi i Shqipërisë, deputetja e PD-së, Denisa Vata kritikoi mungesën e transparencës dhe konsultimit publik në projektet energjetike si HEC-i Shytaj në Fushë-Bulqizë dhe projekte të tjera në Kurdari dhe Martanesh. Ajo theksoi se qytetarët duhet të kenë një zë të vërtetë para se të merren vendime që prekin pronat, kullotat dhe ekonominë lokale, dhe paralajmëroi se energjia e rinovueshme nuk mund të zëvendësojë demokracinë vendimmarrëse. Vata gjithashtu u referua shqetësimeve të Bashkimit Europian mbi sundimin e ligjit, duke kërkuar që drejtësia të funksionojë pa presion dhe politika të respektojë standardet europiane të transparencës dhe barazisë para ligjit.
Fjala e deputetes në Kuvend
Në javët e fundit partnerët europianë kanë folur qartë për Shqipërinë: shqetësimi i tyre nuk lidhet me stabilitetin formal, por me klimën e sundimit të ligjit, me presionin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe me mesazhet politike që relativizojnë luftën kundër korrupsionit.
Për Bashkimin Europian, kapitujt e negociatave maten me prova: a funksionon drejtësia pa presion? A zbatohet ligji njësoj për të gjithë? A respektohet prona?
Në Fushë-Bulqizë rikthehet për shqyrtim projekti i HEC-it Shytaj, pas shtatë vitesh pezullim për shkak të kundërshtimit të fortë të banorëve.
Argumenti i pushtetit vendor është “zhvillimi energjetik”. Kundërargumenti i qytetarëve është po aq i fortë: cenim i burimeve ujore për vaditje, heqje nga fondi pyjor/kullosor, rrezik për ekonominë lokale.
A u bë një vlerësim i ri i ndikimit mjedisor i konsultuar publikisht? Jo.A u garantua që interesi publik është më i madh se interesi privat? Jo.Nëse jo, atëherë nuk kemi zhvillim – kemi vendimmarrje të njëanshme madje e dyshuar dhe ne konflikt interesi.
Në Kurdari, qytetarët bllokojnë makineritë e një HEC-i tjetër me të njëjtin pretendim: mungesë konsultimi dhe transparence. Në Martanesh jepen mijëra hektarë për projekte fotovoltaike pa një proces të besueshëm dëgjese me komunitetin. Argumenti zyrtar është zhvillimi energjetik. Kundërargumenti i qytetareve është i thjeshtë:zhvillimi energjetik nuk përjashton detyrimin për të respektuar pronën, kullotat, ekonominë bujqësore dhe të drejtën e informimit.
Askush nuk është kundër energjisë së rinovueshme. Por energjia e rinovueshme nuk mund të rinovojë mungesën e demokracisë vendimmarrëse.
Kur një vendim për heqje nga fondi pyjor apo kullosor merret pa një konsultim real publik;
kur komuniteti njoftohet pasi procesi është mbyllur;
kur institucionet reagojnë me polici dhe jo me dialog;
atëherë mesazhi që jepet është i qartë: qytetari është formalitet.
Dhe pastaj habitemi pse rritet mosbesimi.
Besimi nuk ndërtohet duke deklaruar se “antikorrupsioni është më i rrezikshëm se korrupsioni”.Kjo është e rrezikshme për tre arsye:
E para, sepse delegjitimon çdo hetim përpara se të përfundojë.
E dyta, sepse krijon klimë te papërshtatshem tek prokurorët dhe gjyqtarët: mesazhi që marrin është se nëse hetojnë lart, do të etiketohen si destabilizues.
E treta, sepse i jep argument partnerëve nderkombtar se problemi nuk është thjesht korrupsioni, por mungesa e vullnetit për ta përballuar atë.
Partnerët europianë nuk po kërkojnë spektakël arrestimesh. Po kërkojnë standard: që drejtësia të mos shihet si kërcënim kur afrohet pranë qeverisë.
Nëse drejtësia është e pavarur, lëreni të veprojë. Nëse akuzat janë të pabazuara, bien në gjykatë. Por ndërhyrja politike përpara përfundimit të procesit është sinjal dobësie institucionale.
Banorët e Fushë-Bulqizës, të Kurdarisë, të Martaneshit, të Bask-Rrjollit nuk po bëjnë teori kushtetuese. Ata po bëjnë një pyetje shumë konkrete: a ka vlerë zëri ynë përpara se të firmoset nje vendim?
Nëse përgjigjja është “po”, atëherë le ta provojmë me transparencë të plotë, me dokumenta publike, me dëgjesa reale, me studime të aksesueshme, me garanci ligjore.
Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë mos flasim për standarde europiane.
Sepse integrimi europian është provë e përditshme e barazisë para ligjit.
Dhe politika serioze fillon pikërisht aty:
kur pushteti pranon kontrollin,
kur drejtësia nuk etiketohet si rrezik,
dhe kur zhvillimi nuk imponohet mbi kurrizin e qytetarëve por ne funksjon te tyre.