Rrëfimi i Chris Bosh për problemin e tij shëndetësor: U zgjova i mbuluar me gjakun tim!

Chris Bosh, ish-lojtar i Miami Heat dhe një nga ‘yjet’ më të mëdhenj të NBA-së në fillim të shekullit XXI, ka ndarë një rrëfim tronditës në rrjetet sociale për një problem shëndetësor të fundit që e detyroi të tërhiqej nga basketbolli në vitin 2019.

“U zgjova i mbuluar me gjakun tim, ishte çmenduri. Ishte e shpejtë, e menjëhershme, pa paralajmërim, nuk pata kohë të përgatitesha. Po përgatitesha për të shkuar në një takim me gruan time dhe papritmas isha në tokë”, rrëfeu Bosh në një postim në Instagram.

Ish-kampioni, tani 41-vjeçar, përshkroi përvojën si të frikshme dhe të papritur: “Nuk do të hyj në detaje, por mund ta shihni që, në njëfarë mënyre, po rikuperohem. Ishte diçka frikshme dhe erdhi shpejt. Kam fat që u riktheva. Ishte vetëm errësirë, asgjë tjetër. U rrëzova në errësirë, u ktheva. Nuk kujtoj asgjë, nuk kam kujtime përveç rikthimit këtu”, vazhdoi teksani.

Karriera e Bosh u ndërpre në vitin 2015, kur ai u shtrua në spital në Florida për shkak të një mpiksjeje gjaku në mushkëri. Ky problem mjekësor e pengoi të përfundonte atë sezon dhe të luante pjesën më të madhe të sezonit pasues, duke zhvilluar ndeshjen e tij të fundit më 9 shkurt 2016 kundër San Antonio Spurs, ende me fanellën e Miami Heat.

I zgjedhur në pozicionin e katërt të Draftit të 2003, pas LeBron James, Darko Miličić dhe Carmelo Anthony, Bosh filloi karrierën te Toronto Raptors. Në 2010, u transferua te Miami, ku krijoi një nga “Big Three” më ikonike me LeBron James dhe Dwyane Wade. Në Florida, ai fitoi dy unaza kampionati në katër finale radhazi dhe mori pjesë gjashtë herë në All-Star Game, ndërsa pesë pjesëmarrjet e tjera ishin në Kanada.

Ky incident i fundit e bëri Bosh të reflektonte mbi jetën: “Më dha një perspektivë tjetër mbi jetën dhe mbi mënyrën se si ndodhin gjërat. Nuk ka rëndësi se çfarë është, sigurohu që të mos presësh. Kjo është ajo që nxjerr prej kësaj. Mos prisni për të vepruar, sepse mund të ndodhë shpejt”.

Ai përfundoi me një apel për veprim: “Mos prisni. Dëshiron një promovim, dëshiron të provosh të futesh në ekip, dëshiron të shkosh në pushime. Njerëzit duan të bëjnë shumë gjëra, kështu që kjo është ajo që nxjerr prej kësaj. Mos prisni. Dëshiron të fillosh një biznes, mos prisni, bëje. Mund të fikesh, nuk e di”.