‘Po ikim për dinjitet, jo për luks’/ Dervishi: ‘Suksesi’ i një të riu varet nga lidhja me pushtetin!

Maturantja Anabel Dervishi në fjalimin e mbajtur nga foltorja e Partisë Demokratike, duke listuar me sinqeritet arsyet e largimit masiv të të rinjve nga Shqipëria,  tha se largimi nuk është një kërkesë për luks, por një kërkim për dinjitet, meritokraci dhe një të ardhme ku puna dhe aftësitë vlerësohen.

“Jam në moshën kur duhet të ëndërroj për universitetin, për karrierën dhe për jetën time këtu. Por shpesh e gjej veten duke menduar, ku do të iki?”, u shpreh ajo, duke e cilësuar këtë si pyetjen që brezi i saj e bën çdo ditë.

Sipas saj, problemi nuk qëndron tek mungesa e dashurisë për vendin, por tek fakti se “ky vend nuk po lë hapësirën më për ne”. Ajo bëri një krahasim të fortë mes të shkuarës dhe të tashmes, duke kujtuar kohën e qeverisjes së PD-së dhe “Bursën e Ekselencës”.

Duke u rritur në 13 vitet e fundit, e reja pohoi se ka parë se “suksesi në këtë vend nuk vjen nga puna, por nga afërsia, lidhja dhe shërbimi ndaj pushtetit”. Pikërisht këto janë arsyet, sipas saj, që e kanë kthyer largimin në “planin e vetëm” për të rinjtë shqiptarë.

 “Sepse një vend pa të rinj është një vend pa të ardhme. Një vend që humb energjinë, talentin dhe ëndrrat e rinisë së vet, rrezikon të humbasë ekzistencën”, përfundoi maturantja Dervishi.

Të nderuar demokratë, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Vi sot përpara jush si një maturante. Jam në moshën kur duhet të ëndërroj për universitetin, për karrierën dhe për jetën time këtu. Por shpesh e gjej veten duke menduar, ku do të iki? Kjo është pyetja që brezi im e bën çdo ditë. Jo sepse nuk e duam këtë vend, por sepse ky vend nuk po lë hapësirën më për ne. Po, unë dua të studioj jashtë. Dua të mësoj në universitetet më të mira, por dua të kthehem. Dua të jetoj dhe të ndërtoj në Shqipëri.

Në qeverisjen e PD-së, ky shtet u thoshte nxënësve të shkëlqyer, nëse arrin më të mirët në botë, ne do të investojmë tek ti. Pra ekzistonte bursa e ekselencës. Nëse pranoheshe në universitetet elitarë, shteti mbulonte studimet. Ishte një mesazh i qartë, merita vlerësohet. Por sot ajo bursë nuk akordohet më. Pyesim pse po largohen të rinjtë. Ne nuk po ikim për luks, po ikim për dinjitet, po ikim për meritokraci. Po ikim sepse duam që puna jonë të vlerësohet. Jam rritur këto 13 vite duke parë se suksesi në këtë vend nuk vjen nga puna, por nga afërsia, lidhja dhe shërbimi ndaj pushtetit.

Këto janë arsyet sepse pse largimi është kthyer në planin e vetëm. Ne nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë fundin e privilegjit, kërkojmë një shtet që nuk i ndan qytetarët në tanët dhe të tjerët. Kërkojmë institucione që nuk frikësohen nga pushteti, kërkojmë konkurrencë të hapur, jo fitues të paracaktuar. Kërkojmë barazi reale përpara ligjit, jo drejtësi selektive. Sepse një vend pa të rinj është një vend pa të ardhme. Një vend që humb energjinë, talentin dhe ëndrrat e rinisë së vet, rrezikon të humb.