Juventusi firmos rinovimin me Weston McKennie-n, mungon vetëm njoftimi zyrtar
Juventusi dhe mesfushori amerikan, Weston McKennie, i kanë thënë “po” bashkëpunimit të ardhshëm. Sipas të dhënave të grumbulluara nga TMW, McKennie ka nënshkruar së fundmi rinovimin e kontratës që e lidh me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2030.
Mbetet vetëm njoftimi zyrtar për të bërë publik marrëveshjen. Komunikata pritet të dalë gjatë orëve në vijim, ose më së voni gjatë ditës së nesërme. Në këtë sezon, McKennie ka luajtur 38 ndeshje me fanellën bardhezi, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 7 asistime.
Kontrata e re parashikon një pagë bazë prej 4,2 milionë eurosh për sezon, plus bonuse që mund ta çojnë atë në një shifër midis 4,5 dhe 5 milionë eurosh. Ky është një rinovim kyç për të siguruar të ardhmen e klubit, ndërsa Juventusi pret vendimet për Dusan Vlahovic-in dhe, mbi të gjitha, për trajnerin Luciano Spalletti, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit.