PD Vlorë denoncon kaosin urban: Bashkia rëndon qytetarët me tarifa parkimi mes infrastrukturës së shkatërruar

Dega e Partia Demokratike e Shqipërisë Vlorë ka denoncuar ashpër gjendjen alarmante të infrastrukturës në qytet, duke akuzuar Bashkia Vlorë për keqmenaxhim, papërgjegjshmëri dhe vendime që rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.

Në një deklaratë publike, Sekretari Funksional pranë PD Vlorë, Rezenbrik Serjani thekson se kriza urbane nuk është pasojë e rastësisë, por e dështimit të qartë në drejtimin e qytetit, ndërsa vendosja e tarifave të parkimit në disa zona kryesore shihet si një tjetër barrë e pajustifikuar për banorët.

Deklaratë e PD Dega Vlorë:

Vlora po përballet me një krizë të rëndë urbane dhe infrastrukturore. Rrugë të shkatërruara, gropa, pluhur, baltë dhe bllokim i përditshëm i qarkullimit po e kthejnë qytetin në një hapësirë gjithnjë e më të pajetueshme.

Kjo situatë nuk është rastësi. Është pasojë e keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së Bashkisë Vlorë. Projeketet e zvarritura dhe “punimet” pa standarde kanë sjellë vetëm kaos dhe ndotje, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi reale.

Paradoksi më i madh: në një qytet me infrastrukturë jashtë funksioni, Bashkia Vlorë ka miratuar vendosjen e tarifave të parkimit në 20 rrugë kryesore dhe 3 sheshe, duke rënduar edhe më shumë qytetarët.

Partia Demokratike, Dega Vlorë, do të vazhdojë të denoncojë nga terreni çdo problem dhe çdo abuzim. 
Vlora meriton dinjitet, përulësi dhe punë të ndershme, jo arrogancë dhe keqmenaxhim.