Çmimi i Madh i Australisë do të zhvillohet normalisht, pavarësisht luftës në Iran

Drejtori ekzekutiv i Çmimit të Madh të Australisë, Travis Auld, ka siguruar se situata e krijuar nga lufta në Iran nuk do të pengojë zhvillimin normal të garës së radhës në Formula 1, e planifikuar për më 8 mars në Melburn.

Në një intervistë të raportuar nga mediat australiane, Auld theksoi se ekipet dhe pilotët e Formula 1 do të mbërrijnë në kohë për garën hapëse të sezonit në Melbourne.

“Formula 1 ka përvojë të madhe në lëvizjen e njerëzve në të gjithë botën. Fluturimet janë riprogramuar me shpejtësi. Më është thënë se tani të gjithë janë nisur dhe do të mbërrijnë brenda afateve të kërkuara,” deklaroi Auld.

Ai sqaroi se prioritet u është dhënë pilotëve, inxhinierëve dhe drejtuesve të skuadrave. “Pilotët do të jenë këtu, inxhinierët do të jenë këtu, drejtuesit e ekipeve do të jenë këtu. Ata kanë pasur prioritet. Disa nga pjesa tjetër e stafit po nisen tani. Ndoshta gara do të mund të zhvillohej edhe pa ta, por fatmirësisht kemi arritur të sjellim këtu të gjithë ata që duhet të jenë,” u shpreh ai.

Pavarësisht tensioneve ndërkombëtare dhe vështirësive logjistike të shkaktuara nga anulimet e fluturimeve, organizatorët kanë konfirmuar se nuk ka ndryshime në kalendar dhe se gara në Melburnit do të zhvillohet sipas planit.