Balliu: Shkarkimet në Policinë e Shtetit fitorja e parë, protestat ndalen vetëm me largimin e Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cilësoi shkarkimet e fundit në kupolën e Policisë së Shtetit si një fitore të parë të qëndresës qytetare, por theksoi se protesta nuk do të ndalet deri në rrëzimin e të gjithë sistemit, që sipas tij, mundësohet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë për SYRI TV me gazetarin Arnold Kariqi, Balliu u shpreh se largimi i Ilir Prodës nuk ishte një lëvizje e zakonshme administrative, por një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e akuzave me fakte dhe prova të paraqitura nga Partia Demokratike dhe, mbi të gjitha, e përballjes së qytetarëve me atë që ai e quajti “narkoshtet”. Ai qëndron skeptik ndaj zëvendësimit të tij me Sokol Bizhgën, duke e konsideruar si një lëvizje të thjeshtë “largon një kriminel për të sjellë një tjetër”.

Klevis Balliu: Proda u largua si rrjedhojë e akuzave, fakteve dhe provave të nxjerra nga Partia Demokratike, por mbi të gjitha nga qëndresa e qytetarëve shqiptarë dhe përballja e tyre me narkoshtetin. Duhet të jemi të qartë që vetëm gjashtë muaj më parë është ndërtuar kabineti dhe drejtori i policisë, vetëm gjashtë muaj më parë dhe nëse unë do të isha këtu, në këtë studio apo në cilëndo studio, dhe do të deklaroja që pas gjashtë muajsh gjysma e këtij pushteti do të shkarkohet dhe do të largohet, nuk mendoj që ndonjë qytetar në të gjithë Shqipërinë do të më besonte.

Dhe ja ku jemi sot. Sepse sot, ndryshe nga para gjashtë muajsh, ka një shpresë që vjen si rrjedhojë e qëndresës së qytetarëve dhe ka një shpresë sot për ndryshim dhe ka një vendim të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për ta ndryshuar këtë situatë. Pa diskutim që fakti që qytetarët janë përballur si kurrë ndonjëherë, pavarësisht dhunës ekstreme të policisë, pavarësisht gazit lotsjellës edhe në shtëpitë e qytetarëve, edhe brenda selisë së Partisë Demokratike, pavarësisht shkopinjve të gomës, pavarësisht plumbave të gomës me të cilët janë goditur në kokë qytetarët, dhe jo në mënyrë të rastësishme se tre qytetarë që janë goditur me plumba gome, të tre i kanë goditjet në kokë. Pavarësisht gjithçkaje qytetarët qëndruan. Dhe ja ku po fillojnë të dalin sukseset e para.

Por kjo protestë nuk do të ndalojë kurrë sepse po largon një kriminel si Proda, për të sjellë një kriminel si Bizhga. Sepse kjo protestë mund të ndalojë vetëm kur ne godasim sistemin që do të shpëtonte qytetarët shqiptarë. Ai sistem goditet vetëm kur largohet Edi Rama.