Juglindja e bllokuar prej 11 ditësh/ Ja kur do të rihapet segmenti i bllokuar në Librazhd-Prrenjas
Pas disa ditësh bllokimi dhe ndërhyrjesh intensive në terren, segmenti rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, në Librazhd, pritet të rihapet për qarkullimin e automjeteve nesër, në orën 12:00.
Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, gjatë ditëve të fundit janë përshpejtuar punimet për stabilizimin e zonës së prekur nga rrëshqitja e dherave, si dhe për ndërtimin e një kalimi të përkohshëm që do të mundësojë rikthimin e lëvizjes në aksin Librazhd–Prrenjas.
Në terren kanë punuar mjete të rënda dhe specialistë të fushës, ndërsa drejtues të ARRSH kanë ndjekur nga afër ecurinë e ndërhyrjeve. Hapja e rrugës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rikthejë normalitetin për banorët dhe bizneset e zonës.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që, pas rihapjes së segmentit, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e vendosura në zonën ku janë kryer punimet, për të garantuar sigurinë e lëvizjes.