Lirohet nga burgu i Burrelit, Ilir Paja. Prokuroria nuk plotësoi 3 detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë

Nga Elton Qyno – Syri.net/

Ilir Paja, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri dhe Itali, është liruar nga burgu, pasi prokurorja e çështjes, Arta Marku, përmes një kërkese drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, kërkoi revokimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie” për njeriun e përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

I konsideruari si njeriu “UFO”, për shkak të arratisjeve të shumta që ka kryer në burgjet Italiane, ka kapërcyer derën e burgut të Burrelit, qysh në mbrëmjen e datës 17 shkurt 2026, duke u vendosur në “arrest shtëpie” në një banesë në Tiranë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, ndryshimi i qëndrimit të prokurorisë në këtë çështje penale, erdhi për shkak se Ministria e Drejtësisë, nuk ka përmbushur brenda afatit 3 mujor të sjellë letërporosinë e autoriteteve Italiane.

Dosja penale kundër Ilir Pajës, është një çështje që ka kaluar të gjithë ciklin gjyqësor në Shqipëri, ku dënimi me 25 vite e 4 muaj burgim për dy vrasje dhe përdhunim në Itali, u prish në datën 13 mars 2025 nga Gjykata Kushtetuese, e cila urdhëroi kthimin e dosjes për rigjykim në Gjykatën e Lartë.

Në vitin 2022 autoritetet Italiane kanë sjellë dosjen hetimore për Pajën, por ky vendim sipas Ilir Pajës është njohur në vitin 2011 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila mbi bazën e akteve hetimore të transferuara nga Italianët në Shqipëri, rezulton se dënimi i Pajës është njohur dhe dënuar nga GJKR-ja duke çuar në vuajtjen e dënimit në Shqipëri.

Më tej Gjykata e Lartë, në 18 shtator 2025 ka vendosur të Prishë vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, duke e kthyer dosjen kundër Ilir Pajës, për rigjykim në këtë gjykatë, të cilës i vendos 3 detyra për ti realizuar para se të dalë me një vendim të formës së prerë ndaj rastit të Ilir Pajës.

Mes 3 detyrave të lënë nga Gjykata e Lartë, ishin:

1)   Kopjes së njehsuar me origjinalin të vendimit (N.SIGE) nr.2/2025 dt.10.09.2025 të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Milanos, për shpalljen të pavlefshëm të urdhrit të ekzekutimit nr. SIEP 3356/2022 të nxjerrë nga Prokuroria e Milanos në dt.25.08.2025 për shtetasin shqiptar Ilir Paja, bashkë me informacionin nëse ndaj këtij vendimi janë ushtruar ose jo mjetet e ankimit (një kopje e vendimit iu është dërguar bashkangjitur)

2)   Informacion në lidhje me praktikën e ekzekutimit të ndjekur nga Prokurori pas vendimit të mësipërm të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Milanos.

3)   Vënien në dijeni nëse vazhdonte të ekzistonte vullneti i autoriteteve të shtetit italian për njohjen me qëllim vazhdimin e ekzekutimit në Republikën e Shqipërisë të dënimit të caktuar në rastin në fjalë për shtetasin shqiptar Ilir Paja.

Të tre këto detyra nuk janë plotësuar brenda një afati 3 mujor nga Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Apelit Tiranë dhe prokuroria.

Gjykata humbi afatin e administrimit në Itali të këtyre 3 provave ndaj, në 17 shkurt 2026 prokurorja e çështjes, Arta Marku, ju drejtua me një kërkesë gjykatës duke zëvendësuar masën e “Arrestit në burg” në “Arrest shtëpie”.

Kërkesa e Arta Markut, u pranua nga Gjykata e Apelit e cila urdhëroi daljen nga burgu të Ilir Pajës dhe vendosjen e tij në “Arrest shtëpie”.

Ilir Paja rezulton i dënuar me 25 vjet burgim për një krim të kryer në Milano të Italisë, ku mbeti i vrarë shtetasi ekuadorian, Ramires Saca Louis Gonzalo dhe i plagosur Orellana Calle Jose Enrique.

Në dosjen e siguruar jepet një tablo e qartë e dinamikës së krimit të ndodhur në 2 shtator 2006 në “Park Nord” në Milano.

Dënimi me 25 vjet burgim për Ilir Pajën është dhënë si bashkim i dënimeve edhe për veprën penale të rrëmbimit dhe përdhunimit të një shtetase rumune, LASCAR Nina Alexandra dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Vrasja i ekuadorianit dhe përdhunimit të rumunes, është kryer 6 muaj pasi Paja ishte arratisur nga burgu i Perugias dhe qëndronte në Milano së bashku me Gentian Makshian.

Sipas dosjes italiane, fillimisht Ilir Paja është arrestuar në Itali në 27 Prill 2006 në zonën e Perugias, pasi autoritet e Drejtësisë Gjermane, kishin lëshuar në 20 korrik 2005 një mandat arresti për Pajën, të cilin e akuzonin për vrasje.

Nga data 27 korrik 2006 kur është arrestuar për llogari të Gjermanisë, dhe deri në 11 qershor 2006, Paja rezulton të jetë mbajtur në ambientet e burgut të Perugias. Por teksa kishte nisur gjyqi për ekstradimin e tij në Gjermani, në datën 11 qershor, Paja, ka mundur të arratiset dhe është provuar që ka gjetur strehim në qytetin e Milanos.

Nga përgjimet e kryera të një rrethi shoqëror shqiptarësh në Milano, është mësuar nga Italianët se Paja qëndronte në Milano, nën shoqërinë e një tjetër shqiptari, të quajtur Gentian Makshija, ky i fundit tashmë i dënuar në Itali.

Për shkak se këta dy personazhe u përfshinë në një vrasje të ndodhur në 2 shtator 2006, policia Italiane mundi ti arrestojë ata në 4 shtator. Pikërisht nga kjo datë, Ilir Paja ka qëndruar i arrestuar deri në 14 gusht 2007, pasi teksa po e transportonin me ambulancë nga Livorno për në burgun e Carinolas në Itali, ai ka arritur të arratiset përsëri.

Përmes hetimeve të kryera nga autoritet italiane, është provuar se Paja, ka mundur të dalë nga territori Italian, duke u futur në Shqipëri, ku ka qëndruar i strehuar. Ndërsa miku i tij Gentian Makshia, ka dalë para gjykatës së Milanos duke u dënuar në Itali.

Sipas dosjes hetimore thuhet se në mbrëmjen e 2 shtatorit 2006, ekuadoriania Garcia Contreras Maria Belen, e cila ndodhej bashkë me të shoqin, të jahtin, si dhe bashkëkombës të tjerë të saj në parkingun përballë "Parco Nord" në Milano, është ngacmuar verbalisht nga shqiptari, Gentian Makshia.

Ky person i ka kërkuar asaj që të shkëputej veçmas me të në park, por Garcia Contreras Maria Belen, nuk i është përgjigjur ftesës dhe është bashkuar me familjarët e tjerë të saj.

Pas disa çastesh, bashkëshorti i saj Jaramillo Guerrero Andrei Fernando, bashkë me një shok të tij, kanë vajtur në park dhe aty kanë vënë re Gentian Makshian, i cili ishte personi që pak më parë i kishte ngacmuar me fjalë gruan.

Makshia, po kryente veprime të turpshme në publik, karshi shtetasve ekuadorianë. Jaramillo Guerrero Andrei Fernando, ka reaguar duke i thënë Gentjan Makshia, se zona frekuentohej nga gra dhe fëmijë, e ai nuk mund të kryente aty të tilla veprime. Në këtë moment rezulton se ka filluar grindja mes tyre.

Nga deklarimet e personave të pranishëm në vendngjarje rezulton se, Gentjan Makshia është larguar duke u bashkuar me disa bashkëkombës të tij, të cilët qëndronin disa metra më larg.

Pak minuta më vonë rezulton se Gentian Makshia është afruar përsëri pranë grupit të shtetasve nga Ekuadori, i shoqëruar me një person tjetër, i cili në vazhdim më pas, është identifikuar si, Ilir Paja.

Në këto momente Gentjani, ka goditur me grushte Garcia Rojas Isidro Freddy, i cili është i ati i vajzës që ai kishte ngacmuar. Ndërkohë, nga ana tjetër, Ilir Paja, me një pistoletë gjysmë automatike “Tanfolio” që mbante në dorën e tij të djathtë ka kërcënuar të gjithë grupin e ekuadorianëve.

Gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar, kur persona të tjerë nga Ekuadori, të cilët ndodheshin në park.Ata janë afruar dhe kanë nisur të mbronin familjen “Garcia”, duke qëlluar me sende të forta (gurë dhe shishe) ndaj dy shqiptarëve.

Në këto momente Ilir Paja, me armën e zjarrit që kishte në dorë ka filluar të qëllojë në drejtim të ekuadorianëve, të cilët kanë qenë në ndjekje të tyre, teksa ata po largoheshin nga parku në drejtim të automjetit tip “Lancia Y”.

Si pasojë e goditjeve me armë zjarri, kanë mbetur fillimisht të plagosur dy ekuadorianët Ramires Saca Louis Gonzalo, i cili më pas ndërroi jetë dhe Orellana Calle Jose Enrique.

Emrat e Gentjan Makshia dhe Ilir Pajës, janë mësuar përmes përgjimeve telefonike të kryer mes një grupi shoqëror shqiptarësh, që flisnin me njëri-tjetrin,duke treguar se vrasjen e kishin kryer Makshia dhe Paja.