Bardhi: Opozita do të thërrasë protestë te kuvendi ditën e debatit për Ballukun, dhe nëse mbrohet korrupsioni...

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, prezantoi raportin e opozitës që do të depozitohet në Kuvend pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit me qëllim heqjen e imuniteti të Belinda Ballukut, kërkesë e SPAK, dhe arrestimin e saj.

Bardhi theksoi se Kuvendi ka për detyrë që të verifikojë nëse ekzistojnë kuhstet për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit, që ka kërkuar Prokuroria e Posaçme dhe të sigurojë që  “deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.”

Po ashtu, ai theksoi se Kuvendi nuk ka kompetencë që të vlerësojë se cila masë sigurimi është e përshtatshme për Ballukun, duke iu referuar qëndrimit të socialistëve në mbledhjen e Mandateve se masa e pezullimit ishte e mjaftueshme deri më tani në lidhje me hetimet, pasi në të kundërt do të dilte jashtë kompetencave të tij dhe do të shkelte parimin e së drejtës.

Ndërkohë që duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Bardhi tha se ditën e shqyrtimit të kërkesë për imunitetin e Ballukut opozita do të thërrasë një protestë para Kuvendit. Qytetarët shqiptarë do ta trajtojnë Kuvendin si bunker nëse aty mbrohet korrupsioni dhe do ta shembin, tha kreu i grupit të PD.