Turqia kërcënon Greqinë: Duam ishujt e Egjeut që na keni `grabitur`

Mediat greke njoftojnë, se Turqia po i fut marrëdhëniet me Greqine në një krizë të re. Sipas tyre, ministri i Punëve të Jashtme, të Turqisë Mevlut Çavusoglu ka rihapur debatin në lidhje me kufirin detar me Greqinë dhe më konkretisht, për statusin e disa ishujve në detin Egje, të cilët shteti helen i konsideron prej kohësh si pronë e tij.

Gazeta “Protothema” njoftoi se kreu i diplomacisë turke, gjatë një interpelance për këtë çështje në parlamentin turk, tha se mes Turqisë dhe Greqisë ka një numër të problemesh të ndërlidhura në Egje.

"Mes problemeve është statusi i disa ishujve të Egjeut dhe  fakti që nuk ka kufij detare të përcaktuar nga një marrëveshje ndërkombëtare mes Turqisë dhe Greqisë, e cila të jetë në fuqi”, specifikoi Çavusoglu.

Ai theksoi në fjalën e tij gjithashtu, se  traktatet ndërkombëtare që shprehen për sovranitetin e ishujve të Egjeut janë Traktati i Lozanës i vitit 1923 dhe Traktatin e Parisit të vitit 1947, duke nënvizuar se këto marrëveshje përmbajnë detaje analitike mbi sovranitetin e ishujve.

"Në këtë kuptim, problemi ka të bëjë me interpretimin e neneve të përmendura në Traktatet e Lozanës dhe Parisit. Siç është e njohur, çështjet në Egje janë diskutuar në kontekstin e kanaleve ekzistuese të komunikimit në mes të Turqisë dhe Greqisë. Vendi ynë dëshiron të gjendet një zgjidhje e drejtë  për  të gjitha problemet në kontekstin e ligjit ndërkombëtar dhe duke marrë parasysh të drejtat dhe interesat themelore te dy vendeve", citohet ministri i Jashtëm turk.

Çavusoglu theksoi përpara ligjvënësve turq gjithashtu, se që nga viti 1996 Ministria e Jashtme turke ka  shprehur pozicionin e saj në lidhje me çështjet në detin me Egje dhe propozimet për zgjidhje.

"Në këtë kontekst, ne kemi njoftuar se nuk do të pranojmë situata de fakto të krijuara nga Greqia, mbi formacione gjeografike që kanë një status të kontestuar. Pikëpamjet tona u janë bërë të ditura në çdo nivel autoritetet greke dhe janë përcjellë në formën e protestës edhe nga Ministria e Jashtme në mënyrë që qëndrimi ynë të regjistrohet edhe në formë të shkruar", deklaroi ai.