Shqipëria po fiket
Nga Bardh Spahia
Ndërsa propaganda zyrtare flet për "kthime" dhe "rilindje", shifrat e Eurostat nxjerrin lakuriq të vërtetën e dhimbshme. Shqipëria po pëson një hemorragji që po vret të ardhmen!
Ky nuk është emigrim, është dëbim nga një sistem i kalbur në korrupsion, ku krimi dhe pushteti janë bërë një, duke i zënë frymën çdo të riu që kërkon meritokraci.
Vetëm në 4 vitet e fundit (2021-2024), kanë ikur 180,000 shqiptarë.
62% e të larguarve në vitin 2024 ishin nën moshën 35 vjeç. Grupmosha më vitale (25-29 vjeç) po ikën e para!
Lindjet kanë rënë me 74% krahasuar me vitet '90. Nga 82 mijë lindje, kemi zbritur në nivelin kritik prej 21 mijë.
Brenda 10 viteve, mosha mesatare kërceu nga 34.7 në 44.3 vjeç. Po kthehemi në një vend azili.
Pse ikin? Sepse kur paratë e taksapaguesve përfundojnë në inceneratorë e tendera korruptivë, nuk ka mbetur asgjë për shëndetësinë, arsimin dhe dinjitetin e punës. Kur krimi i organizuar dikton ekonominë, një i ri i shkolluar nuk ka asnjë shans përballë "të fortit" të partisë.
Ky është rezultati i një qeverie që e ka kthyer Shqipërinë në një pronë private, duke detyruar forcën më vitale të vendit të kërkojë shpresën në rrugët e Europës.
Nuk po ikin për dëshirë, po ikin nga pamundësia për të bashkëjetuar me padrejtësinë!
Detyra jonë që kemi vendosur të qëndrojmë në vendin tonë është të mos dorëzohemi deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend të lirë, prosperoz dhe ku sundon meritokracia dhe vlerat mbi antivlerat.