Jude Bellingham mund t’i mungojë më gjatë Realit
Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, mund të qëndrojë jashtë fushave më gjatë se sa ishte parashikuar fillimisht.
Sipas raportimeve të gazetarit Alberto Pereiro, rikuperimi i talentit anglez nga lëndimi në kofshë nuk po ecën me ritmin e duhur.
22-vjeçari u dëmtua muajin e kaluar në përballjen ndaj Rayo Vallecano dhe që prej asaj kohe ka munguar në ndeshjet vendimtare të “Los Blancos”.
Edhe pse së fundmi është parë duke u stërvitur individualisht, burimet pranë klubit sugjerojnë se ai nuk pritet të rikthehet në aksion para mesit të prillit.
Kjo do të thotë se Bellingham do të humbasë dy përballjet ndaj Manchester Cityn në raundin e 1/8-ave tëChampions League, ndërsa mbetet në pikëpyetje edhe për çerekfinalet, në rast se madrilenët sigurojnë kualifikimin.
Në mungesë të tij, Arda Guler është aktivizuar në rolin e numrit 10, ndërsa skuadra vazhdon të vuajë edhe mungesën e yllit tjetër, Kylian Mbappé, i cili pritet të qëndrojë jashtë fushës për disa javë.
Ndërkohë, Real Madridi të hënën mbrëma do të përballet në shtëpi me Getafen, në një sfidë ku fitorja është jetike për të mbajtur hapin me Barcelonën në garën për titull në La Liga.