Libani ndalon aktivitetet ushtarake të Hezbollahut dhe kërkon rifillimin e negociatave

Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, ka deklaruar se aktivitetet ushtarake dhe të sigurisë të Hezbollah janë të ndaluara. Kjo deklaratë erdhi disa orë pasi Izraeli iu përgjigj sulmeve me raketa dhe dronë të grupit të lidhur me Iranin, duke ndërmarrë sulme ajrore në jug të Bejrutit.

“Shpallim ndalimin e aktiviteteve ushtarake të Hezbollahut dhe kufizimin e rolit të tij në sferën politike”, u shpreh Salam.

Ai theksoi gjithashtu: “Deklarojmë kundërshtimin tonë ndaj çdo operacioni ushtarak apo të sigurisë të nisur nga territori libanez jashtë kornizës së institucioneve legjitime.”

Kryeministri i cilësoi të gjitha aktivitetet e Hezbollahut si “të paligjshme” dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë që “të parandalojnë çdo sulm që buron nga territori libanez”.

“Ripohojmë angazhimin tonë për ndërprerjen e armiqësive dhe rifillimin e negociatave”, shtoi ai.

Ndërkohë, grupi i armatosur libanez, i lidhur me Iranin, deklaroi herët të hënën se sulmi i tij ishte një akt hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, “në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij” si dhe “në përgjigje të agresioneve të përsëritura izraelite”.