Roberto Mancini rrëfen momentet e tmerrshme në Katar: Dëgjova gjashtë shpërthime
Roberto Mancini ka përjetuar momente të vështira në Katar, pas tensioneve të fundit që kanë përfshirë rajonin e Gjirit Persik. Trajneri italian, i cili që prej nëntorit 2025 drejton klubin e njohur Al-Sadd në Doha, rrëfeu për mediat italiane situatën e frikshme që ka ndodhur në kryeqytetin e vendit.
Në një intervistë për Tg1, ish-trajneri i Italisë kampione të Evropës tregoi se gjithçka ndodhi papritur, ndërsa ndodhej në një shërbesë fetare.
“Telefoni im nisi të binte me mesazhe alarmi në arabisht dhe dëgjova pesë ose gjashtë shpërthime. Ishim në kishë kur ranë alarmet dhe na u kërkua të ktheheshim menjëherë në shtëpi dhe të mos dilnim”, u shpreh Mancini, duke përshkruar momentet e ankthit që përjetoi.
Sipas tij, tensioni ishte i madh edhe për shkak të zhvillimeve të fundit ushtarake në rajon. Trajneri theksoi se situata krijoi shqetësim të madh edhe tek familjarët e tij në Itali.
“Nëna ime më telefonoi e frikësuar, por tani mund të qetësohet. Kishim ndjekur lajmet dhe, duke parë lëvizjet ushtarake në Gjirin Persik, mendonim se diçka mund të ndodhte, megjithëse shpresonim te diplomacia”, deklaroi ai.
Për fat të mirë, situata u stabilizua shpejt dhe Mancini konfirmoi se aktualisht ndodhet në siguri.
Megjithatë, ngjarja ka lënë gjurmë të forta emocionale tek trajneri italian, i cili u gjend papritur në mes të një klime tensioni të lartë jashtë fushës së blertë.