Manchester United përmbys Crystal Palace, ‘Djajtë e Kuq’ ngjiten në vendin e tretë

Manchester United vazhdon ecurinë pozitive në Premier League, duke mposhtur 2-1 Crystal Palace në “Old Trafford”. Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick regjistroi ndeshjen e 11-të radhazi pa humbje në kampionat dhe trajneri u bë i pari pas vitit 1971 që fiton pesë ndeshjet e para në shtëpi.

Palace befasoi vendasit që në minutat e para, kur Maxence Lacroix realizoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke kaluar londinezët në avantazh. Miqtë rrezikuan edhe me Sarr, por portieri Lammens mbajti United në lojë.

Në pjesën e dytë, ndeshja mori kthesë vendimtare. Lacroix, nga hero u shndërrua në protagonist negativ, pasi shkaktoi penallti ndaj Matheus Cunha-s dhe u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje si lojtar i fundit. Bruno Fernandes shënoi nga pika e bardhë për 1-1.

Përmbysja u kompletua pak minuta më vonë, kur Fernandes dhuroi një asist perfekt për Benjamin Šeško-n, i cili realizoi me kokë golin e fitores. United administroi epërsinë deri në fund dhe me këtë sukses ngjitet në vendin e tretë në renditje, ndërsa Palace mbetet në kërkim të pikëve në javët e ardhshme.