‘Finalissima’ në pikëpyetje, Katari pezullon kampionatin pas sulmeve me raketa nga Irani

Situata në Qatar mbetet e tensionuar pas sulmeve të fundit me raketa të lëshuara nga Irani, të cilat kanë shkaktuar 16 të plagosur në Doha. Përshkallëzimi i konfliktit ka ngritur shqetësime serioze edhe në planin sportiv, pasi më 27 të këtij muaji është planifikuar të zhvillohet ‘Finalissima’ mes Argjentinës dhe Spanjës (dueli mes fitueses se Europianit dhe asaj të Copa America-s).

Autoritetet vendase kanë mbajtur në fuqi gjendjen e alarmit, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, përveç rasteve emergjente. Sipas raportimeve, raketat dyshohet se kishin si objektiv një bazë ushtarake amerikane në territorin e Katarit, por pasojat kanë prekur edhe popullsinë civile.

Pasojat në sport nuk kanë vonuar. Qatar Football Association ka njoftuar zyrtarisht pezullimin e kampionatit kombëtar dhe të të gjitha aktiviteteve të futbollit në vend, deri në një njoftim të dytë. Ky vendim shton pasigurinë rreth organizimit të ‘Finalissima’-s, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Lusail.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga federatat përkatëse, si Real Federación Española de Fútbol dhe Asociación del Fútbol Argentino, por nëse situata e sigurisë nuk përmirësohet, çështja e zhvendosjes ose shtyrjes së ndeshjes mund të vihet seriozisht në diskutim.

Për momentin, gjithçka mbetet në pritje të zhvillimeve të reja, ndërsa tensioni në rajon vazhdon të mbajë në ankth edhe botën e futbollit.