Leao: Tri pikë të rëndësishme, tani derbi është jetë a vdekje për Milanin

Pas fitores 2-0 ndaj Cremonese-s, Rafael Leao foli me bindje për objektivat e Milanit dhe sfidën e madhe që e pret skuadrën kuqezi. ‘Ylli’ portugez theksoi rëndësinë e suksesit të arritur dhe e cilësoi derbin ndaj Interit si një ndeshje vendimtare në aspektin emocional.

“Ne kemi një objektiv të qartë, që është rikthimi në Champions League. Kjo ndeshje ishte thelbësore për tri pikët”, deklaroi Leao pas takimit. Milani i drejtuar nga Massimiliano Allegri arriti të marrë maksimumin në transfertë dhe tashmë e ka fokusin te përballja e radhës në Serie A.

Në horizont është derbi i shumëpritur kundër Inter-it, një sfidë që për Leao-n ka një domethënie të veçantë. “Duhej ta mbyllnim mirë ndeshjen dhe ta fitonim. Fituam. Kundër Interit do të jetë një ndeshje tjetër. Nuk them vendimtare, por derbi është gjithmonë personal për të gjithë ne. Arrijmë atje me respekt maksimal për Interin, që është një skuadër e madhe, por me dëshirën për të marrë rezultat”, u shpreh ai.

Portugezi theksoi se përgatitja do të jetë çelësi: “Duhet ta përgatisim shumë mirë. Trajneri e njeh këtë ndeshje dhe sipas meje do të arrijmë gati”.

Në fund, Leao e përkufizoi derbin si një sfidë “jetë a vdekje”: “Është një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur. Këtë javë ndihet atmosfera, edhe jashtë Milanos. Të gjithëve u pëlqen të luajnë këto ndeshje. Shokëve të skuadrës u kërkoj të japin maksimumin dhe ta marrin personalisht, sepse është një ndeshje jetë a vdekje për Milanin.”