Rey Manaj i jep fitoren Sivassporit, gol vendimtar ndaj Seriksporit

Sivasspori arriti një fitore shumë të rëndësishme në javën e 28-të Ligës së dytë turke, duke mposhtur në transfertë Seriksporin me rezultatin minimal 1-0. Protagonist absolut ishte sulmuesi shqiptar, Rey Manaj, i cili realizoi golin vendimtar dhe i dhuroi tri pikë me peshë skuadrës së tij.

Takimi u zhvillua në stadiumin ‘İsmail Oğan’ dhe ishte mjaft i luftuar, me vendasit që tentuan të përfitonin nga faktori fushë. Megjithatë, momenti kyç erdhi në minutën e 48-të, kur Manaj gjeti rrugën e rrjetës dhe zhbllokoi sfidën. Ky gol rezultoi vendimtar për fatin e ndeshjes.

Sulmuesi shqiptar, i cili u rikthye te Sivasspor gjatë merkatos së dimrit, po kalon një formë shumë të mirë. Në pesë ndeshje të zhvilluara deri tani, ai ka realizuar katër gola dhe ka dhënë një asist, duke u shndërruar menjëherë në pikë referimi për repartin ofensiv.

Falë kësaj fitoreje, Sivasspor e çoi kuotën në 38 pikë dhe u shkëput edhe më shumë nga zona e rënies nga kategoria. Në anën tjetër, Serikspori mbeti me 29 pikë dhe vazhdon të jetë në zonën e rrezikut.

Në javën e ardhshme, Sivasspori do të presë në shtëpi Ankara Keçiörengücü-në, me synimin për të vazhduar serinë pozitive.