Pavlovic dhe Leao i japin fitoren Milanit ndaj Cremoneses në “Zini”

Milani, i drejtuar nga Massimiliano Allegri, mori një fitore të rëndësishme 2-0 në transfertë ndaj Cremonese-s, në ndeshjen e javës së 27-të të Serie A. Kuqezinjtë e zgjidhën sfidën vetëm në minutat e fundit, falë golave të Pavlovic-it dhe Leao-s.

Pjesa e parë në stadiumin “Zini” ishte mjaft e hapur. Vendasit tentuan të surprizonin me Bonazzoli-n dhe Vardy-n, por me kalimin e minutave Milani mori kontrollin e lojës. Audero bëri dy pritje vendimtare ndaj Pulisic-it dhe Fofana-së, duke mbajtur portën e paprekur. Nga ana tjetër, Leao humbi një rast të artë i vetëm përballë portierit, ndërsa Rabiot me kokë, pas një goditjeje këndi, e dërgoi topin pak mbi traversë.

Në pjesën e dytë, Milani vazhdoi të shtynte përpara. Leao gaboi sërish nga afër, i shqetësuar nga dalja e shpejtë e Auderos. Allegri vendosi të aktivizonte Füllkrug-un, por ish-sulmuesi i West Ham-it pati vetëm një mundësi me kokë, që përfundoi mbi traversë.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, erdhi zhbllokimi. Në minutën e 89-të, pas një krosimi të Modric-it dhe devijimit të De Winter, Pavlovic e shtyu topin në rrjetë për 0-1. Në aksionin e fundit, në minutën e 94-t, Leao shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe dyfishoi shifrat, duke vulosur fitoren 0-2.

Me këtë sukses, Milani rikthehet në -10 pikë nga Interi, një javë para Derby-t të Madonnina-s, ndërsa Cremonese mbetet me 24 pikë, po aq sa Lecce në zonën e rrezikut.