Paranoja e kryeministrit Rama që shkarkoi ‘KimikProdën’ e bandave

Nga Naim Noka/

Fotoreporteri legjendar Felix Bilani e shau mbrëmë live me “libër shtëpie” Kreun e Policisë së Shtetit, pasi policia, pa asnjë shkak, i demontoi mjetin e punës që e kishte blerë me shumë mund. Po e nis nga Felixi për të shkruar dy radhë për Prodën. As nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë.

Dihet që këtu është e vështirë të jesh drejtues policie si në Kosovë apo Maqedoni, sepse kryeministri ynë ka projektuar prej një dekade një shtet të tillë dhe policinë e ka pikë të dobët, sidomos në kohë zgjedhjesh. Ndryshe nga shumë drejtues të policisë para Prodës, që nuk kanë pasur staturë kaq të ulët dhe mungesë dinjiteti profesional, Proda e poshtëroi figurën dhe uniformën e policisë. Nga policë shteti i katandisi në shërbëtorë të Gys Agasit, Suel Çelës, Troplinëve, oligarkëve sipas nevojës së kryeministrit, si dhe kundër gazetarëve dhe protestuesve, edhe kur mbanin në dorë jo më shumë se një flamur.

Pas “Lleshkimikut”, ky meriton të quhet “Kimikproda”. Ndoshta u përdor dhe e mbylli shërbesën, por shkaku i vërtetë i ndryshimit qëndron te paranoja e Edi Ramës për një bashkëpunim të mundshëm logjistik dhe shkëmbim informacioni ndërmjet policisë dhe SPAK-ut.

Shto këtu edhe “mikeshën” e shërbimit sekret të Gys Agasit dhe paranoja bëhet edhe më e fortë.

Mes disa kandidaturave, kryeministri po kërkon një drejtues më inteligjent në Policinë e Shtetit, që ta mbrojë në terrenin e vështirë që e pret, me plot dosje nga SPAK-u.

Ndoshta Ramës po i vjen radha të merret në pyetje në zyrën e tij për disa dosje që janë po aq shpërthyese sa molotovët që hedh opozita e doktorit. E sigurtë është që cilido polic që do të drejtojë Policinë e Shtetit, nuk do të jetë shërbëtor kaq i zellshëm, lepe-peqe i bandave që bënë ‘përshesh’ institucionet e këtij vendi.