SYRI TV/ Rama justifikon ndryshimet në qeveri, i thur lavde Belinda Ballukut
Kryeministri Edi Rama u mundua të justifikojë ndryshimet në kabinetin qeveritar, pas 5 muajsh, duke i cilësuar si të paramenduar dhe jo të diktuara nga skandalet korruptive ku është përfshirë kabineti i tij. Por në kontraditë me deklaratat e tij, pranoi se nuk do të kishte shkarkuar Belinda Balluku, nëse ajo nuk do ishte pezulluar nga detyra dhe shtyu sërish vendimmarrjen për çështjen e imunitetit të saj.
Syri TV
Teksa është e dukshme që, për shkak të aferave të rënda korruptive me të cilat po përballet qeveria, u diktuan ndryshime në kabinetin qeveritar, kryeministri Edi Rama u mundua t’i paraqesë ato si të paramenduara prej kohësh dhe pjesë e strategjisë së tij, pavarësisht se një pjesë e ministrave kishin vetëm 5 muaj në detyrë. Por, nga ana tjetër, në mënyrë kontradiktore, Rama nënkuptoi se këto ndryshime u imponuan si pasojë e dosjeve hetimore, sidomos në rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, zëvendësimin e së cilës kryeministri u mundua ta shtyjë për 3 muaj.
Në fjalën e mbajtur gjatë podkastit të tij ‘Flasim’, Rama zvarriti sërish vendimmarrjen për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke mos dhënë një afat kohor të qartë se kur do të shprehet për këtë çështje.
Ndërkohë që prej 10 ditësh juglindja e vendit është totalisht e bllokuar dhe qytetarët vijnë në kryeqytet përmes Maqedonisë së Veriut, kryeministri Edi Rama është përpjekur të heqë përgjegjësinë nga institucionet në varësi të tij për situatën e krijuar, duke iu rikthyer justifikimit se këto gjëra ndodhin si pasojë e forcave madhore natyrore, me të cilat përballen edhe vende të tjera.