Qytetarët mbrëmë, i thanë vetes se fitorja ndaj regjimit është mundësi reale që fillon këtu
Protesta e mbrëmshme nuk ishte thjesht ai shpërthimi i zemërimit të akumuluar, as një rit i zakonshëm i pakënaqësisë qytetare që vjen e shkon në kalendarin e një regjimi të lodhur; por ajo ishte, mbi të gjitha, një çast i vetëdijes kolektive, një moment kur qytetarët, duke dalë në shesh jo si turmë e shpërndarë por si trup i vetëm i bashkuar, i dhanë vetes diçka që për vite me radhë u ishte mohuar sistematikisht: besimin se ata janë subjekt i historisë dhe jo objekt i manipulimit të saj. Në këtë kuptim protesta mbrëmë, nuk prodhoi vetëm zhurmë, flakë, përplasje dhe imazhe dramatike, por prodhoi kuptim, prodhoi shpresë, prodhoi ndjesinë e rikthimit të dinjitetit qytetar si një forcë reale që mund të përballet me një regjim që prej kohësh ushqehet me frikën, apatinë dhe shpërndarjen e shoqërisë.
Qytetarët u panë të vendosur, jo thjesht për të kundërshtuar, por për ta zhveshur regjimin nga mitet e tij, për ta nxjerrë lakuriq në sytë e vetë atyre që për vite me radhë janë detyruar ta shohin si të pathyeshëm, si të paprekshëm, si një makineri pushteti që gjoja funksionon përtej vullnetit njerëzor. Ajo që ndodhi mbrëmë ishte pikërisht rrëzimi simbolik i kësaj mburoje, ku regjimi u shfaq siç është në të vërtetë, një konstruksion i brishtë dhune, propagande dhe frike, që qëndron në këmbë vetëm për aq kohë sa qytetarët pranojnë të mos e shohin drejt në sy. Në çastin kur ata e shohin, kur e emërtojnë, kur e sfidojnë publikisht, ai humbet aureolën e fuqisë dhe kthehet në karikaturën e vet.
Pamja e regjimit sot të kujtonte figurën tragjikomike të kalorësit me heshtë e mburojë, që endet në një realitet që nuk e kupton më, duke goditur hijet dhe duke luftuar kundër mullinjve të erës, i bindur se është ende hero, ndërkohë që bota përreth e ka tejkaluar. Heshtja dhe mburoja e pushtetit, propaganda, policia, institucionet e kapura, gjuha e dhunshme dhe arrogante, nuk mbrojnë më asgjë, sepse janë zbrazur nga legjitimiteti. Kur legjitimiteti humbet, çdo instrument pushteti, sado brutal të jetë, bëhet qesharak dhe i pafuqishëm përballë një shoqërie që ka vendosur të mos frikësohet më.
Revolta popullore sot nuk erdhi nga jashtë, nuk ishte e importuar, e dirigjuar apo e sajuar, por buçiti nga brenda kësaj shoqërie të lodhur nga padrejtësia, korrupsioni dhe poshtërimi i përditshëm. Ishte revolta e atyre që kanë parë se si simbolet e diktuara si instrumente të demokracisë janë përdhosur sistematikisht dhe janë kthyer në mjete të sundimit. Kryeministria, që duhej të ishte shtëpia e përgjegjësisë publike, u perceptua në fortesë krimi dhe arrogance; selia e partisë në pushtet, që duhej të ishte hapësirë politike, u perceptua si strehë e një organizimi kriminal; drejtoria e policisë, që duhej të garantonte rendin dhe ligjin, u identifikua si qendër e dhunës dhe frikës. Këto nuk janë thjesht interpretime emocionale të protestuesve, por përvoja konkrete të një shoqërie që ka mësuar, përmes goditjeve të përsëritura, se institucionet nuk janë më neutrale, por janë kthyer në instrumente të një regjimi që sundon duke shkelur mbi ligjin që pretendon se mbron.
Risia më domethënëse e kësaj proteste ishte goditja simbolike në zemër të sentimenteve të këtij pushteti: Vila e ish-kreut të regjimit në Bllok, ajo hapësirë që përfaqëson ndarjen e skajshme mes pushtetit dhe qytetarit, mes luksit të papërballueshëm dhe varfërisë morale të shumicës, u pushtua nga flakët dhe urrejtja e akumuluar. Kjo nuk ishte thjesht një akt vandalizmi, por një mesazh i ashpër politik: pushteti që jeton i izoluar nga realiteti, që ndërton mure fizike dhe simbolike mes vetes dhe popullit, nuk është më i paprekshëm. Flakët nuk dogjën vetëm një objekt, por dogjën iluzionin e sigurisë absolute të elitës sunduese.
Edhe pse dhuna e ushtruar sot ishte disproporcionale, edhe pse shteti reagoi me të gjithë arsenalin e tij represiv, regjimi mori goditjen më të madhe që mund të marrë një pushtet autoritar: humbi monopolin e frikës. Në momentin kur qytetarët e sfidojnë dhunën dhe nuk tërhiqen, në momentin kur ata e shohin se përballë tyre nuk qëndron një fuqi drejtësie, por një aparat i dëshpëruar që mbijeton vetëm përmes shkopit, ujit dhe gazit, atëherë raporti i forcave ndryshon në mënyrë të pakthyeshme. Dhuna e shtetit, në vend që ta dobësojë protestën, e demaskon atë dhe e bën më të dukshme natyrën e vërtetë të regjimit.
Protesta e mbrëmshme i dha qytetarëve diçka edhe më të çmuar se zemërimi: u dha ndjesinë e përkatësisë dhe të fuqisë kolektive. Në shesh, individët e izoluar, të lodhur dhe të zhgënjyer u shndërruan në qytetarë që e njohin njëri-tjetrin si bashkudhëtarë në një betejë të përbashkët. Kjo është baza e çdo fitoreje të ardhshme, sepse regjimet autoritare bien jo vetëm nga krizat ekonomike apo presionet ndërkombëtare, por mbi të gjitha nga momenti kur shoqëria pushon së besuari në mitin e tyre dhe fillon të besojë në veten e saj.
Në këtë kuptim, protesta e mbrëmshme nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një faze të re. Ajo tregoi se frika nuk është më absolute, se heshtja nuk është më e vetmja zgjedhje, se shpresa nuk është një luks naiv, por një akt politik. Qytetarët, duke dalë kështu në rrugë, i thanë vetes se fitorja ndaj regjimit nuk është një fantazi e largët, por një mundësi reale që fillon pikërisht këtu: me refuzimin për t’u nënshtruar, me guximin për të folur dhe me vendosmërinë për të mos u kthyer më në errësirën e bindjes së detyruar.
Regjimi mund të mbijetojë ende për një kohë, mund të shtyjë përpara me dhunë dhe manipulim, por diçka thelbësore ka ndryshuar: qytetarët sot e panë veten si faktor, si forcë, si shpresë. Dhe kur një shoqëri arrin në këtë vetëdije, historia fillon të ecë në një drejtim tjetër.