Sulmet në Iran/ Mediat: Gruaja dhe dhëndri i Khameneit janë vrarë
Sulmet e sotme në Teheran, të cilave sipas raportimeve u atribuohen Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, mund të kenë shkaktuar vdekjen e dhëndrit dhe gruas së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Lajmi është bërë i ditur nga disa media arabe, të cilat citojnë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Teheranit, Mitham Mazfar. Ky i fundit i ka përshkruar viktimat si “martirë”. Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë asnjë konfirmim apo mohim zyrtar lidhur me këto pretendime.
Ndërkohë, transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara izraelite, se ekziston mundësia që vetë Khamenei të jetë plagosur, madje nuk përjashtohet as vdekja e tij.
Sipas të njëjtit burim, sulmet kanë shkaktuar “dëme të konsiderueshme” në strukturën drejtuese dhe në radhët e komandantëve ushtarakë iranianë, por theksohet se informacioni mbetet i paverifikuar zyrtarisht.
Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një fjalim televiziv: “Ka shumë të ngjarë që tirani të mos ekzistojë më.” Ai po i referohej udhëheqësit të Mullahëve Ali Khamenei .
Kështu, Netanyahu konfirmoi atë që media izraelite kishte raportuar më parë. “Në Izrael, po rritet vlerësimi se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë në një sulm izraelit këtë mëngjes”, raportoi Times of Israel.