‘Magjia’ e Lamine Yamal ndihmon Barcelonën të fitojë me lehtësi ndaj Villarrealit

Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 4-1 në shtëpi ndaj Villarrealit në kuadër të javës së 26-të në La Liga.

Skuadra e Barcelonës nisi me ritëm të lartë dhe goli i parë erdhi në minutën e 28-të kur Lamine Yamal shfrytëzoi një pasim perfekt të Fermin për të dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë të portës, duke shënuar 1-0 për vendasit.

Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Yamal shënoi sërish në minutën e 37-të, këtë herë pas një aksioni individual të shkëlqyer, duke çuar rezultatin në 2-0 dhe duke treguar potencialin e madh.

Pjesa e dytë solli reagimin e Villarrealit, dhe në minutën e 49-të, Pape Gueye shfrytëzoi një konfuzion brenda zonës për të ngushtuar diferencën në 2-1.

Megjithatë, Barcelona menaxhoi lojën mirë dhe me disa ndryshime të rëndësishme në skuadër, përfshirë futjen e Marcus Rashford dhe Ronald Araujo, mbajtën epërsinë.

Në minutën e 69-të, Lamine Yamal vulosi praktikisht fitoren me golin e tretë për Barcelonën, pas një pasimi të shkëlqyer që e la atë përballë me portierin e Villarreal, duke çuar rezultatin në 3-1.

Për epilogun përfundimtar të takimit u përkujdes Robert Lewandowski i cili në minutën e 92-të realizoi për 4-1 pas asistimit nga Jules Kounde.

Barcelona vazhdon të mbetet lidere në La Liga dhe tani numëron 64 pikë, katër më shumë se Real Madridi që të hënën luan ndeshjen ndaj Getafes.