Gjin Gjoni: Protesta sot, revoltë popullore e jashtëzakonshme - Do udhëhiqet nga qytetarët

Protesta e sotme do të jetë krejtësisht ndryshe nga ato të mëparshmet, pa fjalime por që do të udhëhiqet nga qytetarët me kërkesën e vetme për dorëheqjen e qeverisë Rama. Duke i bërë thirrje qytetarëve të Tiranës të bashkohen sa më shumë deputeti i PD-së Gjin Gjoni në një intervistë për Syri Tv theksoi se kjo protestë do të jetë “komplet ndryshe”, e udhëhequr nga vetë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Për të shmangur “dekonspirimin e planit”, itinerari nuk do të bëhet publik paraprakisht.

Intervista

 “Sapo po kthehem nga Lezha, isha, po merresha me organizimin e protestës atje dhe me organizimin e njerëzve, të cilët janë nisur në drejtim të Tiranës. Padyshim që ka një numër të konsiderueshëm njerëzish më shumë se herët e tjera, të cilët po i drejtohen Tiranës dhe Kryeministrisë. Protesta e sotme do jetë protestë komplet ndryshe nga të gjitha protestat e tjera. Po të shihni edhe tani në bulevard, rezulton që nuk ka podium për folësit. Kështu që protesta do udhëhiqet nga qytetarët e Tiranës dhe qytetarët e Shqipërisë dhe do ndjekin një itinerar i cili do jepet në momentet e fillimit para protestës, pasi nuk mund të bëhet publik për mediat në momentin aktual.

Jini të sigurtë që dy qendrat kryesore do jetë edhe Kryeministria dhe parlamenti, por do ketë edhe lëvizje të tjera padyshim. Por që normalisht në rast se njerëzit do i orientojmë që në momentin aktual, i bie që është dekonspiruar edhe ai plani në lidhje me mënyrën e menaxhimit të protestës.

Çfarë do të kërkoni sot në shesh?

Padyshim, ne do kërkojmë dorëheqjen e qeverisë Rama. Do ketë, besoj, një revoltë popullore të jashtëzakonshme, për arsye sepse edhe ndryshimet e fundit në qeveri janë vazhdë dhe makinacione të cilët janë për të fituar kohë nga ana e qeverisë Rama. Nuk ka ndryshuar asgjë deri në momentin sa të largohet koka e krimit të organizuar, i cili është kryeministri i Shqipërisë.

Keni një mesazh për policinë e shtetit?

Padyshim që sjellja e policisë së shtetit ka qenë një sjellje jo profesionale dhe po të shihni edhe momentin, hedhja e gazit lotsjellës në ambientet e Partisë Demokratike është një ngjarje kriminale. Njerëzit qëndrojnë në ambientet e oborrit të Partisë Demokratike sepse janë demokratë, simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Padyshim që arrestimet dhe ndalimet dhe shoqërimet e protestuesve nuk e ulin mllefin dhe nivelin e protestës së qytetarëve. Biles, unë kam pasur kontakte me një pjesë të madhe të atyre të cilët kanë qenë në dhomat e paraburgimit, të jeni të sigurtë që numri i tyre vjen duke u shtuar edhe për shkak të mënyrës së sjelljes dhe represionit që ka ushtruar policia e shtetit. Kështu që nuk nuk frikësohen qytetarët shqiptarë dhe demokratët në përgjithësi dhe të jeni të sigurtë që numri do jetë akoma më i madh.

A do të jenë protesta drejt shtimit apo drejt tkurrjes?

Në pikëpamjen time dhe mënyra se si po organizohen, protestat do jenë në afate kohore më të afërta dhe padyshim që do shkohet edhe drejt formave të tjera të protestës, të cilët nuk janë përjashtuar asnjë nga format e tjera, qoftë edhe ngujimi, qoftë edhe kohëzgjatja, qoftë edhe futja e grupit parlamentar në grevë të urisë.