Alarm te Reali: Mbappe dhe Bellingham në dyshim për Manchester Cityn në Champions
Goditje e rëndë për Real Madrid përpara sfidës së madhe ndaj Manchester City në Ligën e Kampionëve.
Dy nga yjet kryesorë, Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham, rrezikojnë seriozisht të mungojnë në përballjen e parë.
Bellingham u dëmtua në minutat e para të ndeshjes ndaj Rayo Vallecano dhe raportimet fillestare nuk janë optimiste. Mesfushori anglez pritet të humbasë takimin e parë ndaj kampionëve të Anglisë, një mungesë që do të ndihej shumë në mesfushën madrilene.
Problemet nuk mbarojnë këtu. Edhe Mbappé ka ndalur për shkak të shqetësimeve në gju, që e kanë shoqëruar prej javësh. Francezi mungoi fillimisht ndaj Benficës dhe situata e tij kërkon kujdes maksimal.
Sipas raportimeve të “Cadena SER”, sulmuesi do të qëndrojë jashtë rreth tre javë, duke e përjashtuar praktikisht nga dueli i parë në “Santiago Bernabéu”.
Shpresat mbeten për ndeshjen e kthimit, por gjithçka do të varet nga rikuperimi i tij.
Kujtojmë se sezonin e kaluar Mbappé ishte protagonist ndaj Cityt me një tripletë vendimtare në fazën “play-off”.
Tifozët e Realit shpresojnë ta kenë sërish gati në momentin më delikat të sezonit.